Vendosni fjalën kyçe....

PD mbledh Kuvendin Kombëtar, votohet mbi ndryshimet statutore dhe anëtarët e Këshillit


Partia Demokratike ka mbledhur sot Kuvendin Kombëtar, pak javë pas zgjedhjes së Lulzim Bashës për herë të tretë në krye të kësaj force politike.

Në këtë mbledhje fillimisht do të informohet për atë që demokratët e quajnë “masakër zgjedhore” të 25 Prillit. Pas kësaj do të përcaktohen linjat kryesore të strategjisë politike të PD.

“I nderuar anëtar i Kuvendit Kombëtar të PD,
Ju njoftojmë se mbledhja e Kuvendit do të zhvillohet ditën e shtunë, datë 17.07.2021, ora 10:30, në ambientet e Pallatit të Kongreseve në Tiranë.
Ju lutemi të jeni prezent dhe me vete të keni kartën tuaj të identitetit.
Sekretariati Organizativ i Partisë.”-
thuhet në mesazhin drejtuar anëtarësisë.

Në këtë mbledhje do të diskutohet edhe për ndryshimin e statutit të PD-së dhe propozimet e kryetarit Lulzim Basha. Kujtojmë se Basha kërkoi zgjerim të kryesisë, shtim të sekretariateve, kalimin e kompetencës për të vendosur mbi marrëveshjet politike dhe koalicionet nga Kryesia te Këshilli Kombëtar, teksa ka kërkuar të sanksionohet në statut edhe ngritja e një strukture të re vendore Këshilli Koordinues i Qarkut, i drejtuar nga Drejtuesit Politikë dhe që do të funksionojë me mandat të plotë.

Në pikën e tretë të rendit të Kuvendit është përcaktuar zgjedhja e Këshillit Kombëtar të PD-së që aktualisht drejtohet nga Bujar Nishani, janë 300 emra që do të votohen. Po kështu do të zgjidhet dhe kryesia e re.

Ky i fundit është organi që më pas ka të drejtën e zgjedhjes së lidershipit të ri të partisë.

Pjesë e listës së kandidatëve janë edhe ish-kryeministri Sali Berisha, si dhe ish-presidenti Bujar Nishani që ka qenë një zë mjaft kritik i Lulzim Bashës.

Sipas rregullores së partisë, ish-kryeministrat, ish-presidentët dhe ish-kryetarët e Partive nuk kalojnë për votim por kualifikohen automatikisht.