Vendosni fjalën kyçe....

Prokurori Mara jep detaje nga operacioni: Sekuestruam 6 tonë drogë dhe 11 pasuri, na ndihmuan katër “të penduar”


Prokurori Vladimir Mara i cili që ka qenë drejtuesi i palës shqiptare në skuadrën e përbashkët hetimore për operacionin antidrogë të kryer në bashkëpunim me autoritetet italiane, ka zbuluar detaje nga ky operacion.

Gjatë fjalës së tij, Mara tha se janë sekuestruar rreth 6 tonë lëndë narkotike si dhe se janë sekuestruar gjithsej 11 pasuri të paluajtshme, kryesisht në Vlorë, Kavajë dhe në Tiranë.

Mara theksoi se hetimet kanë zbuluar edhe zyrtarë të lartë të përfshirë drejtpërdrejt në trafikun e lëndëve narkotike.

DEKLARATA E MARËS

Hetimi është kryer në kuadër të një skuadër të përbashkët hetimore, sëbashku me zotin Kardinali dhe kolegun tim Dritan Prençi. Ka qenë një hetim në fakt i vështirë por edhe me shumë rezultate. Të gjithë të pranishmit në këtë takim kanë dhënë ndihmesën e tyre në këtë hetim dhe dua t’i falenderoj të gjithë.

Atëherë në mënyrë të përmbledhur, gjatë këtij procedimi penal janë evidentuar episode të shumta të trafikut të lëndëve narkotike, nga Shqipëria drejt brigjeve italiane, duke u shtrirë më pas në disa qytete të Italisë dhe në vende të tjera të Europës, kryesisht të llojit kanabis sativa, heroina dhe kokaina dhe lëndë të tjera të përpunuara.

Gjatë hetimit, janë sekuestruar mbi 6 tonë lëndë narkotike në Shqipëri dhe në Itali dhe janë nxjerrë masa sigurimi për 80 persona të dyshuar.

Në ditën e sotme ne kemi përfunduar një operacion që është në vijim, për ekzekutimin e 28 masave të sigurimit. Operacioni është i shtrirë në Shqipëri, Itali, Mal të Zi dhe në Spanjë. Operacioni ka shkuar me sukses dhe për këtë do flasë edhe Veliu.

Unë do ndalesha në dy momente të rëndësishme. E para ka qenë shqetësimi i krijuar nga autoritetet italiane dhe shqiptare, për të ndarë në zona dhe informacionet në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe sa më të shpejtë. E dyta, një tjetër element shumë i rëndësishëm që kanë ndihmuar në këtë hetim, kanë qenë katër bashkëpunëtorë të drejtësisë të cilët na kanë ndihmuar duke dhënë informacione të rëndësishme. Ata nuk kanë qenë thjesht pjesë të këtyre grupeve kriminale, por kanë patur role të rëndësishme brenda tyre.

Së pari është identifikuar i gjithë rrjeti, që nga kultivimi, trafikimi në brigjet italiane. Në kohë reale është ndjekur edhe hetimi pasuror dhe janë identifikuar dhe sekuestruar të gjitha pasuritë të cilat janë vënë si rezultat i këtij aktiviteti kriminal, apo të ardhura të tjera të fituara në mënyrë të paligjshme. Në këtë hetim janë evidentuar edhe zyrtarë të lartë të përfshirë drejtpërdrejtë në krimin e organizuar, si dhe përfitues nga krimi I organizuar apo kanë dhënë ndihmë.

Për fat të keq kemi konstatuar që zyrtarë të lartë duke shpërdoruar detyrën e tyre, kanë qenë të pëtfshirë drejtëpërdrejtë në trafikun e lëndëve narkotike. Por puna jonë kjo është dhe është shumë e rëndësishme të evidentohen këta element që sjellin regres.

Sot janë sekuestruar një numër i madh pasurish, kryesisht janë në Vlorë, Kavajë, Tiranë.

Janë gjithsej 11 pasuri të paliajtshme, që janë: restorante, hotele, markete, supermarket, troje. Janë sekuestruar katër shoqëri tregtare me gjithë asetet e tyre dhe disa pasuri të tjera që në fakt kapin një vlerë mbi 3 milionë euro.

Është dokumentuar fakti që këto pasuri janë të vëna si rezultat I të ardhura nga aktiviteti criminal, apo të ardhura të tjera të paligjshme nga zyrtarët shtetëror.

Ka qenë një hetim shumë i mirë, në Republikën e Shqipërisë janë evidentuar edhe dy episode të tjera të trafikut të drogës. Dhe është dokumentuar veprimtaria kriminale e katër grupeve të strukturuara kriminale me grupe kriminale bareze, apo në gjithë terrirotin e Italisë. Ky është një rezultat shumë i mirë bashkëpunimi, një rast me të dhëna vërtet shumë të mira.