Vendosni fjalën kyçe....

Blinken uron Ramën për mandatin e tretë: Pres të punoj me ju për të forcuar bashkëpunimin mbi demokracinë


Sekretari amerikan i Shtetit ka uruar kryeministrin Rama për mandatin e tretë.

Në një telegram urimi, Blinken thekson se falënderimi shkon edhe për popullin e Shqipërisë që doli të votojë pavarësisht kufizimeve Covid-19.

Sekretari amerikan shkruan gjithashtu se mezi pret që të punojë me kryeministrin Rama në mandatin e tij të tretë për të forcuar bashkëpunimin mbi demokracinë, tregtinë e investimet.

“I nderuar Z. Kryeministër: Urime për ju dhe partinë tuaj për suksesin tuaj elektoral. Unë gjithashtu dua të përgëzoj popullin e Shqipërisë që, megjithë kufizimet e pandemisë COVID-19, ushtroi të drejtat e tyre themelore në zgjedhjet e 10-të kombëtare të vendit që nga rënia e komunizmit. Unë pres që të punoj me ju gjatë mandatit tuaj të tretë si Kryeministër për të forcuar më tej bashkëpunimin tonë mbi demokracinë dhe mbrojtjen, si dhe tregtinë dhe investimet.” – shkruan Blinken.

Ky i fundit shton më tej se SHBA-ja do e mbështesë Shqipërinë për të forcuar shtetin e së drejtës, për të kryer reformën në drejtësi e për të përmirësuiar llogaridhënien e qeverisë.

Blinken shton se vendi ka treguar gatishmëri për hapjen e negociatave për anëtarësimin në BE dhe se SHBA-ja do e mbështesë Shqipërinë në përmbushjen e këtij procesi.

“Ne do të vazhdojmë të mbështesim Shqipërinë ndërsa punon për të forcuar shtetin e së drejtës, për të përmirësuar llogaridhënien e qeverisë dhe për të kryer reformën në drejtësi. Përmes këtyre zgjedhjeve paqësore, Shqipëria ka demonstruar më tej gatishmërinë e saj për të hapur negociatat e pranimit në BE. Shqipëria është një Aleate e fortë e NATO-s dhe ne ju përgëzojmë për përparimin tuaj drejt Betimit të Uellsit. Ne jemi mirënjohës për bashkëpunimin tonë në fushën e mbrojtjes dhe e vlerësojmë shumë Shqipërinë për pritjen e Defender 21. Ne përballemi me shumë kriza në të gjithë globin, dhe unë kam besim se së bashku mund të ngrihemi për të përmbushur këto sfida historike. Ne kemi një mundësi dhe një përgjegjësi për të ndërtuar një të ardhme paqësore të rrënjosur në liri dhe prosperitet për të gjithë. Sinqerisht, Antony J. Blinken.” – mbyll deklaratën Blinken.

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *