Vendosni fjalën kyçe....

Basha në Malësinë e Madhe: Siç hoqa vizat, do e fus Shqipërinë në BE


Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha e ka zhvilluar vizitën e radhës në Malësinë e Madhe ku është pritur nga mbështetësit dhe simpatizantët e tij.

Në një fjalim të shkurtër që mbajti para tyre, Basha tha se shpesh herë politika i ka ndarë shqiptarët, por ata asnjherë ata s’kanë qenë më të bashkuar se sa sot.

Ai përsëri deklaratat që bëri më herët në një program televiziv, apo në takimin në Durrës se kryeministri Edi Rama është kthyer në një “satelit” të tijin. Basha akuzoi Ramën se nuk u del dot para qytetarëve dhe se nuk ka fjalë t’ju shpjegojë se pse nuk i ka mbajtur premtimet që ka bërë në këto 8 vjet.

Kryedemokrati u premtoi qytetarëve të Malësisë së Madhe se siç hoqi vizat do e fusë dhe Shqipërinë në Be.

“Në këto 30 vite, vendi ynë është përballur me sfida të mëdha, shpesh herë politika i ka ndarë njerëzit në llogore dhe në zgjedhje kanë zgjedhur ato që i kanë përcaktuar pronarët afatshkurtër dhe afatgjatë, por kurrë më parë nuk kanë qenë shqiptarët kaq të bashkuar, si sot.

Ka 8 vite që e mban peng vendin, një njeri që i ka shkruar bukuritë e mahnitshme të Malësisë së Madhe, Shkodrës dhe mbarë Shqipërisë, pasuri private për veten e vet dhe një grusht njerëzish.

Një njeri që e bëri politikën fjalë të pisët, sepse erdhi me premtime të mëdha  dhe me paturpësinë më të madhe i braktisi ato.

Kjo do të mbahet mend si fushata e parë dhe unë zotohem se do të jetë e fundit, kur kryeministri u kthye në satelit të kryeministrit të ardhshëm.

Nuk ju shpjegon dot pensionistëve pse i gënjeu 8 vite, ku në vend të rriste pensionet siç premtoi, i la në mëshirë të fatit. Nuk iu shpjegon dot e s’ka fjalë për t’ju shpjeguar studentëve pse i degdisi në sistemin më të falimentuar universitar, me ligjin më primitive të Arsimit të Lartë dhe pa mbështetje financiare.

Nuk ka asnjë fjalë përpara fermerëve të cilëve u premtoi mrekullira por iu hoqi edhe subvencionet dhe i zhyti në varfëri me çmimet më të larta.

Nuk del dot para çifteve të reja, të papunëve, naftëtarëve e minatorëve sepse ka dështuar në çdo fushë.

Koha e tij ka marrë fund, dhe sot e di Malësia e Madhe, Shkodra e gjithë Shqipëria.

Një ditë e re po vjen, një ditë e politikës së re, e vendimmarrjes që ndihmon e nuk pengon mirëqënien e qytetarëve. Ashtu siç hoqëm vizat, do e fus Shqipërinë në BE.

Një ekonomi që zhvillohet, do sigurojmë vende pune, që rinia e Malësisë së Madhe të arsimohet këtu, me paga dinjitoze, pranë prindërve të tyre.

Ndodhem sot mes jush jo vetëm për t’iu thënë bashkohuni për ndryshim që Malësia të fitojë, Shqipëria të fitojë. Drejt fitores së Shqipërisë, do i prini me votën tuaj.

Ndryshimi ka ardhur. Ja kështu siç jemi mbledhur. Kështu do mblidhen shqiptarët kudo. Vendimi është marrë. Ndryshimi do të vijë me votën tuaj.

Vendosni maskat, mbani distancën. Zoti ju bekoftë ju dhe familjet tuaja. I uroj gjithë besimtarëve katolikë të kenë një Pashkë të bekuar.”- tha Basha.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *