Vendosni fjalën kyçe....

Zbardhet vendimi i Gjykatës Kushtetuese, Komiteti Teknik ka një javë kohë të rishikojë kohëzgjatjen e kufizimeve


Gjykata Kushtetuese ka zbardhur vendimin për ankimin e Partisë Republikane për kufizimet e vendosura nga Ministria e Shëndetësisë si masë për parandalimin e përhapjes së koronavirusit.

Vendimi erdhi pas kërkesës së Partisë Republikane depozituar në këtë gjykatë më 4 dhjetor të vitit të shkuar kundër vendimit për ndalimin e grumbullimeve mbi 10 personave.

Gjykata Kushtetuese vlerëson se urdhri i Ministres së Shëndetësisë, Ogerta Manastiriu cenon standardet kushtetuese të nenit 17 të Kushtetutës.

“Në kushtet e shfuqizimit pjesërisht të urdhrit nr. 633/2020, Gjykata, në bazë të neneve 76, pikat 1 dhe 4, dhe 81, pika 3, të ligjit nr. 8577/2000, çmon se organi kompetent duhet të rishikojë kohëzgjatjen e kufizimeve brenda një jave nga shpallja e këtij vendimi. Në këtë proces rishikimi, Gjykata vlerëson domosdoshmërinë e përmbushjes nga ana e organit kompetent të standardeve të analizuara në këtë vendim, të cilat në mënyrë të përmbledhur sigurojnë: (a) analizën e kujdesshme të parimeve kushtetuese përpara miratimit të kufizimeve të të drejtave kushtetuese; (b) rritjen e besimit publik për instrumentet e përdorura, përmes informimit të qytetarëve mbi to; (c) lehtësimin e veprimtarisë së organeve të tjera publike, nëse ato shqyrtojnë ankesa administrative ose gjyqësore nga zbatimi i kufizimeve; (ç) monitorimin dhe vlerësimin e duhur nga Kuvendi për kufizimet e të drejtave kushtetuese. Në caktimin e afatit për rishikimin e kohëzgjatjes së kufizimeve, Gjykata mban në konsideratë nevojën që organi kompetent të veprojë me ritmin e duhur nisur nga fakti se vendi tashmë është në prag të zgjedhjeve të përgjithshme, fakt i cili padyshim shkakton disa vështirësi kohore për qytetarët për të materializuar të drejtat kushtetuese në fjalë, në kuptimin e mbrojtjes së tyre në rrugë administrative apo gjyqësore“, thuhet në vendim.

PËR KËTO ARSYE,

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, në mbështetje të neneve 131, pika 1, shkronja “c”, 134, pika 1, shkronja “gj”, dhe 132, pika2,të Kushtetutës, si dhe të neneve 72, 76, pikat1 dhe 4,dhe 81, pika3 të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, me shumicë votash,

V E N D O S I:

– Pranimin pjesërisht të kërkesës.
– Shfuqizimin e shprehjes “deri në një urdhër të dytë” në pikën 1 të urdhrit nr. 633, datë 17.11.2020 të ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.
– Detyrimin e organit kompetent të rishikojë kohëzgjatjen e kufizimeve brenda një jave nga shpallja e këtij vendimi.
Ky vendim është përfundimtar dhe hyn në fuqi ditën e publikimit në Fletoren Zyrtare.

Marrë më 09.03.2021

Shpallur më 18.03.2021

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *