Vendosni fjalën kyçe....

Negociatori i PD-së detaje për marrëveshjen me aleatët: Me Mediun ishim të dakordësuar që në fillim. Lista të ndara nga LSI?! Jemi një koalicion!


Kreu i fushatës së PD-së, Alfred Rushaj, ka shtjelluar sot marrëveshjen e negociuar dhe arritur me aleatët e selisë blu lidhur me daljen me listë të përbashkët në zgjedhjet e 25 prillit.

Që në fillim të intervistës në News24, përfaqësuesi i PD-së, sqaroi negociatat me kreun e PR-së, Mediu, duke theksuar se me PR-në nuk ka qenë asnjëherë në diskutim marrëveshja por janë diskutuar çështje teknike për maksimalizimin e votës.

“Ne kemi qenë që në fillim në terma të dakordësuar me Mediun dhe PR-në, aleati ynë historik. Nuk ka qenë në diskutim arritja e marrëveshjes. Kur dy aleatë të ngushtë bisedojnë me njëri-tjetrin ka përherë gjëra që diskutohen me qëllim maksimalizim i votës për koalicion. Mediu dhe ne kishim një projekt që mendojmë se është i përbashkët, detajet se si te maksimizohet vota në çdo qark, çështje teknike më shumë se parimore. Diskutime më shume në nivel teknik, si të mblidhet vota opozitare, duke qenë se parimet ishin të dakordësuara që në fillim.” – tha Rushaj.

Negociatori i PD-së dha më tej hollësi duke theksuar se diskutimet me aletatët kanë qenë teknike me synim të vetëm maksimizimin e votës e të mandateve dhe arritjen e qëllimit të përbashkët për largimin e qeverisë Rama.

Rushaj theksoi se PD-ja dhe të gjitha partitë aleate janë një front i bashkuar dhe i vetëm.

“Zoti Mediu dhe PR dhe gjithë partitë e tjera u bashkuan në radhë të parë si qytetarë për të mundësuar atë çfarë është qëllimi ynë kryesor: Heqjen e kësaj qeverie nga kontrolli i vendit. Të tjerat teknalitete. Janë mbyllur negociatat me të gjithë partnerët e koalicionit. Jemi në një aleancë të vetme. Jemi në një koalicion, në një aleancë e do dalim si një front i vetëm. Ndarja e përgjegjësive për qeverisje është diçka tjetër dhe do jetë në një fazë të dytë.” – shtoi ai.

Në pjesën e dytë të intervistës, kreu i fushatës së PD-së, shtjelloi reformën e propozuar në sektorin energjitik e atë të hidrokarbureve.

Rushaj theksoi se skema e qeverisë së re do ulë çmimin deri në 8500 lekë të reja në vit për 710 mijë familje shqiptare, që e kanë paguar më shtrenjtë çmimin e energjisë padrejtësisht.

“Programi për sektorin e energjisë është pak më kompleks sesa çështja e energjisë elektrike. Programi i PD-së ka në qendër të vet familjen dhe çdo reformë pavarësisht nëse i drejtohet biznesit të madh, të mesëm, të vogël, benefitet të jenë për ekonominë familjare. Ulja e çmimit të energjisë elektrike është për ne rivendosja në vend e një drejtësie sociale. Në një vendim tërësisht të padrejtë, jo vetëm nga pikëpamja sociale, të pandershëm, u rrit çmimi i energjisë elektrike për mbi 70% të familjeve shqiptare për ato që kanë të ardhurat më të vogal e konsumojnë më pak, kurse për pjesën tjetër çmimi u ul. Kjo preku 710 mijë familje dhe ne do bëjmë që nëpërmjet dytarifimit do ulim çmimin për 710 mijë familje shqiptare e do e ulim jo pak por deri në 8500 lekë në vit. Kjo s’i prek financat e kompanisë.” – tha Rushaj.

Përfaqësuesi i PD-së shtoi se plani në këtë fushë nuk i prek financat e kompanisë ndërsa theksoi se tjetër reformë që do bëhet është liberalizimi i tregut të energjisë.

“Sektori i energjisë ka nevojë për investime e hapjen e tregut, është kthyer në monopol. Kemi nënshkruar konventa e kemi marrë detyrime për të liberalizuar tregun e energjisë elektrike. Kemi një nga çmimet më të larta të energjisë elektrike në Europë.  Nëse kompania apo shteti nuk u jep çmim të lirë bizneseve do i japim mundësinë që të dalin ta marrin në treg. Çmimi u rrit me 30% po standardet nuk u përmirësuan por u përkeqësuan. Qëllimi ka qenë i qartë, të shpenzojmë sa më shumë lekë. U mblodhën qindra milionë euro nga kosumatorët, detyrimet e prapambetura ose korente. U futën njerëzit në burg. Shteti është një nga borxhlinjtë më të mëdhenj. 20 milionë euro është detyrimi që shteti i ka kompanisë.” – theksoi Rushaj.

Ai preku edhe çështjen e OST-së, lidhur me linjën e interkonjeksionit Shqipëri-Kosovë. Rushaj e cilësoi si tejet shqetësues këtë lajm duke theksuar se bëhet fjalë për një dëm të dyfishtë që i është shkaktuar shtetit.

“Ky është një lajm shumë shqetësues. Nuk është vetëm çështja që u prish linja dhe ka bërë 70 mln euro. Kjo tregon se si janë realizuar investimet. Problemi tjetër është humbja që shkakton çdo ditë mosefiçenca e kësaj linje. U bë disa kohë që linja është jashtë pune. Mosfunksionimi i kësaj linje, veçanërisht kur ka pasur mundësi për eksport të energjisë, imagjinoni që e gjithë kjo autostradë ka qenë jashtë funksionit dhe energjia që do ishte eksportuar do kishte sjellë para në arkat e kompanisë, por është derdhur ujë dhe është përmbytur tokë, një dëm i dyfishtë.” – tha ai.

Më tej, Rushaj shtoi se OST-ja është përgjegjëse për rregullimin e kësaj linje duke qenë se bëhet fjalë për një situatë urgjente.

Ai theksoi se plani i PD-së edhe në sektorin e hidrokarbureve është krejtësisht i realizueshëm duke dhënë hollësi lidhur me atë që pritet të ndodhë.

“Plani është totalisht i implementueshëm. Është plan konkret i bërë nga ekspertë me shumë përvojë, i shikuar edhe nga ekspertë të huaj. Ne kemi çmimin më të shtrenjtë të karburantit në rajon e cilësinë më të dobët të karburantit në rajon. I gjithë rajoni furnizohet nga të njëjtat burime. Kudo është më mirë dhe më lirë. Kjo ndodh sepse ekziston një monopol në këtë treg që padyshim do të çmontohet. Ekziston një bashkëjetesë mes monopolistëve dhe institucioneve shtetërore përgjegjëse për cilësinë e karburantit. Institucionet shtetërore që janë përgjegjëse për kontrollin, janë pjesë e kësaj skeme. Natyrisht që ndërhyhet. Brenda 6 muajve të parë ne do të shqyrtojmë çdo praktikë monopoliste. Do angazhohemi të mundemi ta hapim tregun dhe do vendosim në kontroll cilësinë e karburanteve brenda kësaj periudhe gjashtë mujore.” – mbylli intervistën e tij, Rushaj.

*Intervistën e kreut të fushatës së PD-së, Alfred Rushaj, lidhur me progamin në sektorin energjitik e dëgjoni Këtu 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *