Vendosni fjalën kyçe....

Ndahet nga jeta poeti Lefter Çipa, mjeshtri i madh i poezisë popullore


Ndahet nga jeta në moshën 79-vjeçare poeti i njohur, Lefter Çipa. Sipas “BalkanWeb”, poeti ka ndërruar jetë pas një beteje të gjatë me një sëmundje të rëndë por nuk bëhet me dije se për çfarë sëmundje bëhet fjalë.

Çipa ka lënë pas një krijimtari të gjerë në libra e tekste këngësh, ai ka botuar 18 libra me poezi dhe është autor i rreth 1250 këngësh.

Po ashtu ai njihet si njeriu që investoi më shumë për polifoninë shqiptare. Pas lajmit të hidhur për vdekjen e tij, ka reaguar dhe presidenti i vendit Ilir Meta.

Ai e quan atë “legjendë” të poezisë.

“Dhembje e trishtim nga lajmi, që nuk do donim ta merrnin kurrë, legjenda e poezisë dhe e polifonisë shqiptare, Nderi i Kombit, Lefter Çipa, u ndaj sot prej nesh.
Krijuesi brilant i Bregut, me frymëzim thellësisht kombëtar, iku në përjetësi, për të na lënë të gjithëve një trashëgimi të vyer artistike e kulturore, ku spikatin perlat e polifonisë shqiptare të krijuara mjeshtërisht prej tij dhe që do këndohen në jetë të jetëve, sa të ketë shqiptarë.
Familjes Çipa, komunitetit të dashur të Pilurit kuqezi, gjithë poetëve dhe polifonëve, ju përcjell ngushëllimet më të ndjera për këtë humbje të pazëvendësueshme, që na lëndoi të gjithëve.
Lefter Çipës i jeton poezia, i jeton kënga, i jeton shpirti kuqezi! I paharruar kujtimi i tij!”– shkruan presidenti.

Lefter Çipa është autor i 18 librave të botuar me poezi si: “Bejkë e bardhë”, “Bilbilat e vendit tim”, “Shqipëri moj ballëhapur”, ” Këngët e Ruzanës”, “Dheun tim përsipër mbaj”, “Për Kosovën prapë do të ngrihem”, “Kënga që tret lotin”, “Këngët e Akroqeranit”,”Princi i Dashurise”, etj.

Lefter Çipa është babai i gazetarit të njohur, njëherësh kryetar i Unionit të Gazetarëve Shqiptar, Aleksandër Çipa.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *