Vendosni fjalën kyçe....

Basha takohet me farmacistë në Tiranë: Pacienti do jetë në qendër të programit tonë


Mëngjesin e sotëm, kryedemokrati Lulzim Basha zhvilloi një takim në Tiranë me përfaqësues të Urdhrit të Farmacistit dhe me pacientë, me të cilët ndau programin e tij për shëndetësinë.

Basha u sqaroi farmacistëve dhe pacientëve detajet e programit “Shqipëria Fiton” dhe u angazhua se do të ndryshojë situatën e rëndë të tregut të ilaçeve në Shqipëri dhe trajtimin e pacientëve në këtë drejtim.

“Cilësia e barnave ka marrë një goditje të jashtëzakonshme gjatë këtyre viteve. Tregu është hapur për mafien e barnave e cila sjell barna të pa certifikuara jo në funksion të shëndetit të njerëzve, por në funksion të mbushjes së xhepave të një grushti importuesish. Angazhimi i parë në këtë fushë është që ne do të bëjmë të gjitha ndryshimet e nevojshme ligjore dhe do të ushtrojmë të gjithë kontrollin e nevojshëm që barnat shqiptare të cilësisë dhe standardeve të vendeve europiane.”– tha Basha.

Sipas kryedemokratit, në qendër të programit do të jetë pacienti.
“E dyta ka të bëjë me pacientin. Sepse i gjithë programi ynë për shëndetësinë ka në qendër pacientin, paraja ndjek pacientin. Kjo do të thotë që rimbursimi i barnave do të bëhet në bazë të diagnozës, në mënyrë që asnjë pacient që ka nevojë për një ilaç të veçantë, të mos mbetet pa e marrё kёtё mjekim.”– tha ai.