Vendosni fjalën kyçe....

Dolën pa maska, policia gjobit mbi 450 qytetarë në gjithë vendin (VIDEO)


Mbi 450 qytetarë janë gjobitur në të gjithë vendin në 24 orët e fundit, për shkak se nuk kanë zbatuar masat e vendosura nga qeveria dhe Komiteti Teknik i Ekspertëve për t’u mbrojtur nga Covid-19.

Policia thotë se mbajtja e maskës është e detyrueshme për të gjithë në momentin kur dalim nga shtëpia. Gjatë kontrolleve janë gjobitur gjithsej 462 qytetarë.

Ndëshkime ka patur dhe ndaj administratorit të një biznesi, që ushtronte aktivitetin në kundërshtim me protokollin e sigurisë.

DETAJET E POLICISË

Ndëshkohen me masë administrative 462 shtetas, pasi nuk zbatuan masat anticovid.

Strukturat e Policisë, krahas përmbushjes së detyrave funksionale për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë, kanë vijuar kontrollet në terren në të gjithë vendin, për të monitoruar zbatimin e masës për parandalimin e përhapjes së COVID-19, mbajtjen e detyrueshme të maskës mbrojtëse, e cila është detyrim për të gjithë qytetarët, që në momentin që dalin nga shtëpia.

Si rezultat i këtyre kontrolleve, gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin, Patrullat e Përgjithshme dhe ato të Policisë Rrugore kanë evidentuar dhe ndëshkuar me masën administrative 3.000 lekë secili, 455 qytetarë që janë konstatuar duke lëvizur pa maskat mbrojtëse.

Gjatë kontrolleve janë shoqëruar në ambientet e Policisë në të gjithë vendin, 4 shtetas që nuk kanë pranuar t’i tregojnë punonjësve të Policisë dokumentin e identifikimit, të cilët pasi kanë paraqitur dokumentin e identifikimit, janë ndëshkuar me masën administrative 3.000 lekë dhe më pas janë lënë të lirë.

Gjatë kontrolleve të ushtruara në subjekte të ndryshme, shërbimet e Policisë kanë evidentuar 1 subjekt që ushtronte aktivitetin në kundërshtim me protokollet e sigurisë. Për administratorin e këtij subjekti është vendosur masa administrative 1.000.000 lekë.

Gjithashtu, gjatë kontrolleve janë konstatuar 6 qytetarë që lëviznin në rrugë gjatë orarit të ndalimit të lëvizjes, pa arsye të domosdoshme, të cilët janë ndëshkuar me masën administrative 10.000 lekë secili.

Policia e Shtetit, krahas punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë, sigurimin e rendit dhe qetësisë publike, do të vijojnë punën për monitorimin e zbatimit të masave anticovid në të gjithë vendin. Në këtë kuadër, Policia apelon për të gjithë qytetarët që të zbatojnë me rigorozitet masat anticovid.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *