Vendosni fjalën kyçe....

IDENTIFIKIMI ELEKTRONIK – KQZ-ja gati të nisë negociatat për kontatën me kompaninë e afërt me Ramën


Me vetëm një kompani në garë për të bërë identifikimin elektronik të votuesve në zgjedhjet e ardhshme, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) thotë se është gati të vijojë me fazën e negocimit të termave të kontratës me kompaninë fituese.

Përmes një njoftimi për mediet, KQZ thotë se ka përfunduar fazën e vlerësimit të ofertës dhe zgjidhjes teknike të paraqitur nga kompania me bazë në Britani ‘Smartmatic’.

Kompania është kualifikuar dhe tani KQZ po vijon përpara me fazën e negocimit me kompaninë.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në datën 14 janar 2021, përfundoi fazën e vlerësimit të ofertës dhe zgjidhjes teknike, të paraqitur nga operatori ekonomik ‘Smartmatic International Hlding B.V’ pjesëmarrës në procedurën prokuruese me objekt ‘Sisteme/pajisje të teknologjisë së informacionit për identifikimin elektronik të votuesve dhe verifikimin e tyre pas zgjedhor’.

Kompania Smartmatic International Holding B. V, brenda afateve ligjore paraqiti dokumentacionin, zgjidhjen teknike dhe ofertën ekonomike me vlerë: 19.975.774,23 USD pa T.V.SH dhe e konvertuar në lekë referuar kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë për datën 23.12.2020 me vlerë: 2,016,354,627.56 lekë pa TVSH.

Komisioni i Vlerësimit të Ofertave pas shqyrtimit të dokumentacionit, ofertës ekonomike dhe zgjidhjes teknike vendosi kualifikimin ofertës së paraqitur nga kompania Smartmatic International Holding B. V.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të vijojë me fazën e negocimit të termave të kontratës me kompaninë fituese.

Nëse negociatat rezultojnë të suksesshme dhe arrihet nënshkrimi i kontratës, do të fillojë procesi përgatitor për implementimin e sistemit për identifikimin elektronik të zgjedhësve.”– njofton KQZ.

Smartmatic është një kompani britanike me qendër në Londër, e cila sipas KQZ-së është e vetmja që ka paraqitur një ofertë konkrete, ndonëse 6 kompani më parë kishin shfaqur interesimin.

Vitin e kaluar kjo kompani ka realizuar edhe sistemin për zgjedhjet e brendshme në Partinë Socialiste.

Kompania është e profilizuar për prodhimin e sistemeve të votës elektronike, të përdorura në vende, si Estoni, Filipine, etj, si dhe në përdorimin e kësaj teknologjie në primaret Presidenciale Republikane.