Vendosni fjalën kyçe....

Denoncimi i PD-së: Rama po i fal pa garë kompanisë arabe Portin e Durrësit, ka nxjerrë “në shitje” edhe të Vlorës


Partia Demokratike ka denoncuar sot faljen e pasurisë publike te një kompani arabe, në një skemë të ngjashme si ajo e Teatrit Kombëtar.

Anëtari i kryesisë, Bozdo, shkruan se projektligji i miratuar për Portin e Durrësit është i ngjashëm me atë te Teatri.

Ai akuzon se pasuria publike, Porti i Durrësit, po i falet pa garë një kompanie arabe ndërsa shton se e njëjta gjë po ndodh edhe me Portin e Vlorës.

Reagimi i Bozdos vjen disa ditë pas publikimit të pamjeve të dy ministrave të qeverisë Rama, këshilltarit të tij Fuga dhe nënktyetarit të bashkisë së Tiranës Mazniku duke darkuar në praninë e biznesmenit Samir Mane në një restorant luksoz në Dubai.

“Pas dy vitesh, e njëjta qeveri përsërit vetveten. Pas projektligjit për Teatrin Kombëtar, ku pasuria publike i falej kompanisë Fusha shpk, tashmë është radha e Portit të Durrësit që t`i falet një kompanie arabe. Kaq identike është skema e vjedhjes, sa edhe projektligjet ngjajnë si dy pika uji. Qartazi janë hartuar nga e njëjta dorë! Kështu, një projektligj i ri, i gatshëm për tu miratuar, do t`i japë Portin e Durrësit një kompanie arabe. Do t`ia japë pa garë, pas një procesi negociimi për të cilin askush nuk di asgjë. Njësoj si me Teatrin, prona publike negociohet pa garë, për një projekt që e di vetëm Edi Rama dhe pjesëmarrësit e darkës së Nusretit. Njësoj si me Teatrin Kombëtar, megavjedhja do të realizohet brenda ditës, do të ligjërohet me votat e maxhorancës, dhe fitimet do të shkojnë në të njëjtat xhepa.

Njësoj si me Teatrin Kombëtar, ndërtesat e Portit do të shëmben për t`i hapur rrugë ndërtimeve të kompanisë. Por megahajdutëria nuk ndalet këtu. “Në shitje” ka dalë dje edhe Porti i Vlorës. Edhe ky do të bëhet port jahtesh, ndërsa porti ekzistues nuk dihet se ku dhe me cfarë kostosh do të zhvendoset. Por kësaj radhe skema është më profesioniste: një koncesion 35 vjecar do të vulosë këtë aferë!

Pas kësaj, sipas planeve te Edi Ramës, Shqipëria do të kthehet në republikë jahtesh, sepse portet e mallrave nuk dihet se ku do të jenë!” – shkruan Bozdo në Facebook.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *