Vendosni fjalën kyçe....

Darka në Dubai, Rama: Që kur kam ardhur unë në qeveri, ministrat e kanë të ndaluar të shkojnë me pushime jashtë shtetit


Kryeministri Edi Rama u është përgjigjur përmes komenteve në “Facebook”, kritikave të qytetarëve lidhur me videon e bujshme që qarkulloi mbrëmë në rrjet, ku disa ministra shfaqeshin duke ngrënë darkë bashkë me oligarkun Samir Mane në një restorant luksoz në Dubai.

Rama u kërkon qytetarëve që të mos bazohen vetëm në raportimet e portaleve, por të informohen më mirë pasi sipas tij kabineti qeveritar kanë shkuar në Dubai me synim për të sjellë investime në Shqipëri.

 “Mos u mbyt në portalet e atyre që vetëm hedhin helm, po informohu dhe do ta mësosh që në Dubai ka shkuar një grup i madh me përfaqësues të qeverisë, pushtetit vendor, mediave, me ftesë nga pala pritëse dhe s’kanë shkuar për karkaleca po për të sjellë investime në Shqipëri, ndërkohë që tërë shpenzimet mbulohen prej mikpritësve, kështu që kjo që thua s’ka asnjë lidhje, ndërsa lokalin e vogël nuk besoj të ta mbyllë qeveria, se qeveria nuk mbyll lokale dhe ty nuk të ka lënë jetim, sepse kush ka lokal të vogël i janë hequr taksat e qeverisë dhe i janë bërë ZERO!”- shkruan Rama.

Rama këmbëngul se ai nuk ka lidhje me gënjeshtën ndërsa përmend shprehjen “kur gënjeshtra ka bërë xhiron e botës e vërteta akoma s’ka veshur pantallonat”.

Madje këmbëngul se që kur ka ardhur ai në qeveri ministrat e kanë të ndaluar të shkojnë me pushime jashtë shtetit. Duke përfshirë edhe atë vetë.

“patjetër që e kam parë dhe ja ku e ke edhe përgjigjen, shumë e thjeshtë! Dhe me këtë rast mësoje se qyshse kam ardhur unë në qeveri ministrat e kanë të ndaluar të shkojnë me pushime jashtë shtetit, përfshirë edhe mua natyrisht! Kështu që zgiidh e merr, o faktet o përrallat me gjellë pasanikësh!” – shkruan kryeministri.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *