Vendosni fjalën kyçe....

Gjyqtarja britanike bllokon ekstradimin e Julian Assange-it në SHBA


Këtë të hënë një gjyqtare në Britani, ka vendosur që themeluesi i “WikiLeaks”-it Julian Assange të mos ekstradohet drejt SHBA-ve.

Siç shkruan BBC, Gjykatësja Vanessa Baraitser arriti në këtë vendim për shkak të shqetësimeve mbi shëndetin mendor të Assange dhe rrezikut të lartë të vetëvrasjes.

Autoritetet amerikane kanë thënë se vendimi do të apelohet.

Assange kërkohet në SHBA pasi akuzohet për publikimin e qindra mijëra dokumenteve të klasifikuara ushtarake dhe diplomatike në vitet 2010 dhe 2011.

Shëndeti i tij është përkeqësuar ndërsa ishte në burg në Mbretërinë e Bashkuar. Ai përballet me 18 akuza, 17 prej të cilave bien nën Aktin e Spiunazhit të SHBA-ve.

Nëse dënohet në SHBA, Assange mund të përballet me një dënim të mundshëm deri në 175 vjet burg, kanë thënë avokatët e tij. Megjithatë qeveria e SHBA-ve thotë se dënimi kishte më shumë gjasa të ishte midis katër dhe gjashtë vjet.

SHBA-ja e ka akuzuar posaçërisht atë se ka komplotuar me analisten e inteligjencës së ushtrisë Chelsea Manning, për të deshifruar një fjalëkalim dhe për të hyrë në një kompjuter të klasifikuar të Departamentit të Mbrojtjes për të zbuluar sekretet ushtarake.

Mbështetësit e Assange argumentojnë se SHBA-të po e synojnë atë për arsye politike pasi puna e tij gazetareske ekspozoi krimet e pretenduara të luftës në Afganistan dhe Irak, si dhe abuzimet e të drejtave të njeriut./Hashtag.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *