Vendosni fjalën kyçe....

Mustafa: Gjykatën Speciale s’na e bënë Basha e Berisha, akuzat ndaj tyre të pavërteta


Kreu i LDK-së, Mustafa, ka thënë ditën e sotme se Gjykatën Speciale ku po gjykohen disa nga liderët e Kosovës, nuk e ka bërë as Lulzim Basha as Sali Berisha.

Teksa ish-liderët e UÇK-së përballen me gjyqin në Hagë, të akuzuar për krime lufte, në Shqipëri ka pasur akuza ndaj kreut të PD-së, Basha e PD-së si forcë politike.

Mustafa thekson në Facebook se akuzat ndaj Bashës e PD-së janë të pavërteta dhe vetëm sa e dëmtojnë më shumë Kosovën e Shqipërinë duke bërë thirrje që një baltosje e tillë të ndalet.

“Të nderuar qytetarë, Shqipëria i doli në krah  Kosovës në në kohët më të vështira rrugën e saj të çlirimit dhe shtetndërtimit,  si gjatë qeverisjes së demokratëve ashtu edhe të socialistëve.  Nëntë vite kam qenë në ekzil, nga viti 1990 deri më 1999, dhe e kam përjetuar Shqipërinë si shtëpinë time, shtetin tim.

E ndjej shumë rëndë që në vitin 2020 të “zbulojmë” se dikush  nga Shqipëria pas çlirimit paska qenë kundër UÇK-së. Konstruktime të tilla të pavërteta, nuk iu ndihmojnë pjestarëve të UÇK-së që tani janë në Hagë. Nuk i bëjnë mirë të së vërtetës. I bëjnë keq harmonisë dhe solidaritetit shqiptar në Shqipëri dhe në Kosovë, që na nevojitet më shumë se çdoherë më parë.

Gjykatën Speciale, nuk na e bëri Lulëzim Basha , Sali Berisha, ….por për te vendosi Kuvendi i Kosovës. Nëse s’do ta bënte Kosova do të vendoste Këshilli i Sigurimit i KB. Shqipëria nuk ka dorë dhe as hile në këtë vendim dhe as në proceset gjyqësore që u zhvilluan pas lufte.

Për ne duhet të ketë qenë nder prezenca e shqiptarëve nga Shqipëria në misionin e UNMIK-ut, sikurse edhe e kosovarëve.  Ka qenë ndihmë specifike.

Baltosja e njerëzve pa asnjë arsye të shëndoshë dhe pa argumente nuk është rrugë dhe mënyrë e mbrojtjes së vlerave të UÇK-së, të vlerave të shtetit tonë dhe të shtetit shqiptar. Duhet të pushojnë sulmet e tilla, sepse po na dëmtojnë.” – shkruan Mustafa në Facebook.