Vendosni fjalën kyçe....

Kryemadhi: Më 25 prill do e dërrmojmë fenomenin Rama, ai i ka frikë qytetarët dhe jo politikanët


Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi, në një takim me të rinj që votojnë për herë të parë ka deklaruar se Kryeministri Edi Rama nuk ka frikë Metën dhe Bashën por ai e ka frikën me qytetarët e zakonshëm.

Kryemadhi shtoi se fenomeni Rama do dërrmohet nga zgjedhjet e 25 prillit.

Tek vija rrugës, dëgjoja kryeministrin e famshëm që thoshte Mona, Luli, Meta, Mona, Luli, Meta, sepse në fakt ai nuk e ka frikën me ne.

Ai e ka frikën me ju. Ai ka frikë nga ju, sepse ka 8 vite që ju ka gënjye. Ai ka frikë nga incerenatori i Elbasanit, sepse në vend që të hapte punë, në vend që të krijonte mundësi punësimi dhe zhvillimi për Elbasanin, ai hapi një gropë plehrash. Ai ka frikë nga bizneset e Elbasanit, të cilat janë mbyllur çdo ditë. Ai ka frikë nga gratë naftëtare në Ballsh, të cilave u ka vjedhur pagën e 20 muajve dhe vazhdon t’i vjedhë edhe minutat e jetës së tyre. Ai ka frikë nga mjekët, nga infermierët.

Ai ka frikë nga një grua që qesh në mes të rrugës dhe e arreston. Ai ka frikë nga mësuesit. Por mbi të gjitha ka frikë nga ju. Sepse ju jeni makthi i tij, frika e tij. Sepse vota juaj në 25 prill do të jetë një votë, e cila do ta dërrmojë atë, jo për Edi Ramën si Edi Ramë, sepse ai është i vogël, si një mizë që shkelet me këmbë, por për fenomenin Edi Rama, që merr peng të ardhmen e të rinjve dhe të rejave, që merr peng të ardhmen e fëmijëve të shqiptarëve” – tha Kryemadhi.