Vendosni fjalën kyçe....

Mediat në Kosovë: I arrestuari për drogë bëhet këshilltar i ministrit të Drejtësisë


Mediat në Kosovë raportojnë se një person i cili më parë ka qenë i arrestuar nën akuzat për drogë i quajtur Enis Qerka, është emëruar sëfundmi këshilltar i jashtëm politik i ministrit të Drejtësisë, Selim Selimi.

Por vendimin për emërimin e tij Ministria e Drejtësisë nuk e ka bërë publik sikurse për këshilltarët e tjerë të ministrit.

Gazeta Koha shkruan se kabineti i ministrit Selimi e ka pranuar se “Enis Qerka është emëruar si këshilltar i jashtëm në Ministri të Drejtësisë” dhe se “vendimi është nënshkruar dhe ka shkuar në administratë si çdo vendim tjetër”.

Në dhjetor të vitit 2018, Enis Qerka u arrestua në kufirin Kosovë-Maqedoni me dyshimin se ishte i përfshirë në kontrabandimin e 113 kilogramëve narkotikë të llojit heroinë. Në atë kohë, mediat patën raportuar se Enis Qerka punonte si shofer në Byronë Kosovare të Sigurimeve, të udhëhequr nga Gani Thaçi, vëllai i presidentit Thaçi.

Edhe pse gjykata fillimisht kishte vendosur për një muaj paraburgim, Qerka dhe dy të tjerë u liruan pas një jave në Apel, me urdhrin për t’u paraqitur në stacion të policisë.

Gazeta shkruan se ka pyetur ministrin e Drejtësisë, Selimi, se si e ka angazhuar për këshilltar një person të arrestuar me dyshimin për kontrabandim të 113 kilogramëve drogë, dhe në përgjigjet e dërguara nga kabineti i tij është thënë se “vendimi për z. Qerka si këshilltar i jashtëm është marrë pasi që ndaj tij kanë pushuar hetimet”.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *