Vendosni fjalën kyçe....

Shkëlzen Maliqi: Marrëveshja nuk ka vetëm anën e spektaklit, ikonografia impresive sugjeron njohjen e ndërsjellë


  • Për Marrëveshjen e Washingtonit: mund të ketë më shumë përmbajtje dhe domethënie, se sa që kjo kuptohet nga leximi i sipërfaqshëm i tekstit të akordit që pajtuan delegacionet e Kosovës dhe Serbisë.
  • Për marrëveshjen finale Kosovë-Serbi: Formula më e avancuar dhe njëkohësisht edhe më evropiane dhe universalisht më e paranueshmne, është e “kufijëve të relativizuar”, si zgjidhje e butë e kontestit që nuk dëmton askënd.
  • Për Malin e Zi pas zgjedhjeve: Ka tendenca që Mali i Zi të kthehet nën ndikim të Serbisë dhe Rusisë, por...
  • Për Dritan Abazoviçin: Më duket politikan shumë më i guximshëm dhe më i kthjellët, e edhe pragmatik, seç u tragua Albin Kurti.

Intervistoi: Ekipi i KDP

Filozofi dhe shkrimtari nga Kosova, Shkëlzen Maliqi, thotë se Marrëveshja e Washingtonit çon drejt njohjes së ndërsjellë midis Prishtinës dhe Beogradit. Në një intervistë për KDP Maliqi shprehet i bindur se edhe Serbia është duke u pajtuar me realitetin e krijuar me shtetin e Kosovës.

KDP: Si e vlerësoni epilogun e takimit të palës kosovare dhe serbe në Shtëpinë e Bardhë në Washington?

Shkëlzen Maliqi: Marrëveshja ekonomike e Shtëpisë së Bardhë, që cilësohet si historike, mbase edhe mund të ketë më shumë përmbajtje dhe domethënie, se sa që kjo kuptohet nga leximi i sipërfaqshëm i tekstit të akordit që pajtuan delegacionet e Kosovës dhe Serbisë. Ata që kanë pritur më shumë, deri edhe njohjen e ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë, sikurse edhe dyshuesit dhe mohuesit po e minimizojnë marrëveshjen duke konstatuar mangësi të shumta duke e parë ngjarjen thjesht si një paradë që bënë pjesë në aktivitetet elektorale për rizgjedhjen e Presidentit Trump. Atyre marrëveshja u duket, nëse jo e dëmshme, atëherë zotime të fryera pa instrumente obliguese të jetësimit të tyre.

Ndërkaq, unë jam i bindur se skeptikët gabojnë. Marëveshja nuk e ka vetëm anën e spektaklit, por edhe përmbajtjet dhe zotimet pragmatike që janë të realizueshme, si ato të investimeve në përmirësimin e infrastrukturës së komunikimeve ajrore, hekurudhat dhe autostradat, për çka ofrohen mjetet fillestare të menjëhershme, dhe që do të ndikojnë jo vetëm në përmirësimin e marrëdhenive mes dy vendeve, por edhe në krejt rajonin.
Nga ana tjetër, edhe pse skenari spektakular ngjall dyshimet se motivimin e ka elektoral, ai në të vërtetë e ka edhe një efekt kompenzues: është e vërtetë se Serbia është kujdesur që të mos bëjë lëshime në tekstin e marrëveshjes, e ka refuzuar draftin e parë të saj ku përmendej angazhinmi i dy vendeve për njohje të ndërsjellë, po kështu ka insistuar që marëveshjet të janë jo mes dy palëve, por si dy marrëveshje bilaterale me SHBA-të, në mënyrë që të mos kuptohet si marrëveshje ndërshtetërore që implikon njohjen implicite të shtetit të Kosovës nga ana e Serbisë. Këto janë marrifete diplomatike të domosdoshme në rrethanat që e kufizojnë Presidentin e Serbisë pasi që Kushtetuta e këtij shteti Kosovën e konsideron si pjesë të Serbisë. Mirëpo, vetëm ikonografia impresive, që përfaqësuesit e dy shteteve i paraqesin pranë Presidentit Trump në kapacitetin e barabartë karshi SHBA-vë, në opinionin e Serbisë dhe në Kosovë, krijon idenë dhe imazhin e një njohje të ndërsjellë, që është më reale se ajo që mohohet. Me këtë, dua të them se ajo që Serbia ditën e parë e hoqi nga drafti i parë i marëveshjes, në fund u shfaq si imazh dhe simbolikë bindëse konfirmuese, që edhe zotimeve të përgjithësuara ekonomike dhe politike ua japin drejtimin e përcaktuar që do të çojnë pashmangshëm drejt marrëveshjes finale…

KDP: Mendoni se mund të ketë marrëveshje finale për njohje të ndërsjellë Kosovë-Serbi?

Maliqi: Gjithësesi, proceset shkojnë drejt pajtimit të Serbisë me realitetin. Sa më parë që Serbia do ta kuptojë këtë, aq më mirë për të gjithë aktorët, përfshirë edhe Serbinë, e përfitues do të jetë edhe rajoni, i cili tash tre dekada është në gjendje të stagnimit. Do të ishte katastrofale nëse edhe më tej do të vazhdohet me kokëfortësi rruga qorre e konfrontimeve dhe injorimeve të realitetit të krijur pas intervenimit të NATO-s në vitin 1999…

KDP: A është ende në lojë “korrigjimi i kufijve”, siç e quante Thaçi, apo “shkëmbimi i territoreve” siç e quan Kurti?

Maliqi: Në momentin kur Kosova dhe Serbia do ta kenë një marrëveshje për njohje të ndërsjëllë, do të duhej të ketë edhe një konfirmim dhe demarkacion të kufirit mes dy shteteve. Janë ata kufijtë me të cilët Kosova është pavarësuar në vitin 2008, por që duhet të shenohen si të tillë ku mund të ndodhin disa korrigjime minimale të vijave dhe situatave të paqarta, p.sh., nëse ka lëvizur ndonjë shtrat lumi ose procke e të ngjashme. Këto janë proceduara të zakonshme si me megjet e pronave, ku nëse nuk ekziston pajtimi palëve, arbitron një palë e tretë. Kemi kësi konteste ende të pazgjidhura mes Kroacisë dhe Sllovenisë, Malit të Zi dhe Kroacisë etj.
Por, ka diçka edhe në vetë marrëveshjen e nënshkruar të Washingtonit që presupozon një korrigjim esencial të qasjes ndaj kufijëve. Në rastin tonë nuk bëhët më fjalë as për korrigjimin e as për këmbimin e territoreve, edhe pse këto kanë qenë opcione për zgjidhjen e kontestit pasi që Serbia insistonte se zgjidhja nuk umd të jetë që Kosova të fitojë gjithçka, kursë Serbia asgjë, dhe aludonte në aplikimin sa më të shtrirë të kriterit etnik në caktimin e kufirit. Me këtë pretendonin që Veriu i Kosovës, ku shumica dërnuese e popullsisë janë serbë, t’i takojë Serbisë.
Formula më e avancuar dhe njëkohësisht edhe më evropiane dhe univerzalisht më e paranueshmne, është e “kufijëve të relativizuar”, si zgjidhje e butë e kontestit që nuk dëmton askënd, ndërkaq që zgjidh jo vetëm “demarkacionin” mes Kosovës dhe Sderbisë, por njëkphësisht edhe problematikat e ngjashme në tërë rajonin, e si model edhe më gjërë.
Kur e them këtë e kam parasysh përmendjen në Marrëveshje të projektit të “Shengenit të vogël” që e patën filluar me pompë Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut, pastaj sikur iu bashkangjitë edhe Kosova, por u refuzua në Kosovë dhe Bosnje, kryesisht duke përmendur dy argumente: e para se “Mini Shengeni” ngjallë fantazmën e një Mini-Jugosllavie ku do të dominonte Serbia (kundërshtarët ne Kosovë e quajnë projekt i Sebisë së Madhe, sikundër që në Serbi disa qarqe projektin e shohin si realizim të Shqipërisë së Madhe); e dyta vërejtje është se me këtë projekt largohet dhe falsifikohet intenca origjinale e vendeve të rajonit që të bëhen pjesë e BE-së, se kështu po mashtrohen me një surogat të “Mini BE-së” që largon anëtarësimin në BE.
Unë mendoj se “Mini-Shengeni” që mbase nuk është emër adekuat për relativizimin e kufijëve mes 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor, mund të shërbejë si një projekt lehtësues për zgjidhjen e njëkohshme të tensioneve në Kosovë dhe në Bosnjë.
Unë jam i bindur se krijimi i tregut të perbashkët dhe liria e lëvizjes mes vendeve të Ballkanit Perëndimore sipas modelit të BE-së, është mbase momenti më i fortë politik i marëveshjes ekonomike të Ëashingtonit që relartivizon dhe zbut konfrontimet mini –sovraniste në rajon pasi që hap rrugën për zgjidhje të butë dhe të njëkohshme të “çështjes serbe” dhe “çështjes shqiptare” si bosht i tensinoneve në rajonin e Ballkanit Perndimor. Sigurisht se tek kjo ka shumë vështirësi të tjera për implementim, por një herë që arrihet akordi mes shqiptarëve dhe serbëve, të gjitha tensionet tjera në rajon do të ulën ose duken më të zgjidhshme. Paralelja për këtë është edhe të BE-ja, që boshtin e unitetit e ka në akordin fillestar me Francës dhe Gjermanisë, që edhe më tej mbetet boshti i Evropës së Bashkuar, ku atëhere edhe vendet tjera me të vogla e kamë gjetur interesin që të bëhen pjesë e Evropës së Bashkuar.
Sigurisht se duhet të studiohen përvojat dhe të gjinden zgjidhjet konkrete për konfliktet e trashëguara, por nëse vërtet duam që të behemi pjesë e BE-së, le të tregojmë aftësi për ta bërë Mini-Evropën në Ballkan.

KDP: Krerë të UÇK-së janë ftuar nga Gjykata Speciale si dëshmitarë apo të akuzuar për krime lufte. Ka ndonjë lidhje kjo me intensifikimin e dialogut Prishtinë-Beograd?

Maliqi: Nuk besoj, është koincidencë, diçka që po ndodh në kohën jo të duhur, dhe mund të ndikojë në stabilitetin e Kosovës. Megjithatë, unë shpresoj se shoqëria kosovare është mjaft e pjekur që ta kalojë edhe këtë sprovë me sukses, duke e spastruar edhe reputacionin lufteës çlirimtare te UÇK-së, ashtu siç ka ndodhur edhe në gjykimet e Tribunalit të Hagës.

KDP: Në Malin e Zi fitoi opozita pro-serbe kundrejt partisë së Milo Gjukanoviq. Një shqiptar etnik, kreu i URA Dritan Abazoviq, që përcakton shumicën parlamentare u rreshtua kundër Gjukanoviqit. Është ky moment i demokratizimit të Malit të Zi nëse kihet parasysh fakti se në këtë vend asnjëherë nuk ka pasur ndryshime të pushtetit, apo është rikthim në zonën e ndikimit të Beogradit?

Maliqi: Ka tendenca që Mali i Zi të kthehet nën ndikim të Sertbisë dhe Rusisë, por raporti i pergjithshëm i forcave në Mal të Zi nuk shkon në favor të një përmbysjejje të tillë, që kontrolli të kalojë te forcat serbomëdha. Mali i Zi ka pas votime specifike ku njerëzit nuk janë deklaruar vetëm për ndasinë që ekziston mes pro-serbëve dhe montenegrinëve, por një pjesë e forcave demokratike kanë pasur motivim të fortë që të votojnë kundër “regjimit” 30-vjeçar të Milo Gjukanoviqit dhe të partisë së tij. Në kushtet normale, me një konkurencë më të barabartë, mendoj se shumica e votuesve në Mal të Zi nuk do të përkrahnin ringjalljen e lëvizjes serbomadhe dhe të klerofashizmit.
Dritan Abazoviqi është bërë yll i zgjedhjeve në Mal të Zi më një përcaktim riskant që të bashkëpunojë me të djathtën, ndonëse është me orientim i partisë së gjelbërt dhe për opcione liberale dhe qytetare, por e argumenton mjaft mirë se bashkëpunimi me të djathtën ekstreme për rrëzimin e Gjukanoviqit ka qenë opcion i vetëm që sjell ndryshim. Nuk jam i siugurtë nëse mund të krijohet një qeveri stabile në Mal të Zi me këtë konfiguracion të partive fituese, por Abazoviqi e ka rolin përcaktues në krijimin e qeverisë së re, ku insiston që qeveri të jetë teknike, dhe jo nga përfaqësuesit e partive me të cilat nuk ndanë botëkuptim të njejtë. Është një eksperiment që mund të dështoj shpejt si Qeveria e Kurtit në Kosovë, vetëm se Dritan Abazoviqi më duket politikan shumë më i guximshëm dhe më i kthjellët, e edhe pragmatik, seç u tragua Albin Kurti.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Kdpolitik

*Shënim: Hashtag.al ka nisur një bashkëpunim mediatik ndërshqiptar me medien Kdpolitik.com me qendër në Maqedoninë e Veriut. Qëllimi i këtij bashkëpunimi është shkëmbimi i përvojave dhe i shkrimeve për një këndvështrim ndryshe të çështjeve që prekin e shqetësojnë shqiptarët.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *