Vendosni fjalën kyçe....

Kritikat e përfaqësuesit të ONM-së për SPAK, reagon KLP: I kemi zgjedhur në një proces transparent dhe më të mirët


Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) ka reaguar pas komenteve të përfaqësuesit të ONM-së se disa Prokurorë të SPAK nuk duhet të ishin aty.

Në reagimin e saj KLP-ja thotë se përzgjedhja e prokurorëve të SPAK ka kaluar në një proces transparent dhe tepër kërkues ku u zgjodhën kandidaturat më të mira.

Reagimi i plotë:

Këshilli i Lartë i Prokurorisë (Këshilli) është njohur zyrtarisht me komentet e përfaqësuesit të ONM gjatë një seancë dëgjimore të mbajtur në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit në datën 17.07.2020 dhe reagimin publik të SPAK ndaj këtyre komenteve. Kujtojmë se sipas Kushtetutës, Këshilli ka për detyrë të garantojë, midis të tjerash, llogaridhënien dhe statusin e prokurorëve të republikës, përfshi prokurorët e SPAK.

Për më tepër Këshilli është organ themelues i SPAK dhe mbikëqyrës sa i takon performancës dhe disiplinës së prokurorëve të kësaj strukture. Në këto kushte ne nuk mund të jemi indiferentë ndaj deklaratave publike që lidhen me profesionalizmin dhe integritetin e prokurorëve të SPAK. Ne jemi të vetëdijshëm së suksesi i SPAK varet, në rradhë të parë, nga cilësia dhe integriteti i prokurorëve të saj.

Me këtë bindje, në një përpjekje për të përzgjedhur prokurorët më të mirë, ne zhvilluam një proces tepër kërkues dhe transparent i cili zgjati plot 9 (nëntë) muaj. Në kuadër të atij procesi ne verifikuam në detaj profesionalizmin dhe integritetin e të gjithë kandidatëve. Kujtojmë se pavarësisht verifikimeve tona të thella , kushti mbi kushtet për të gjithë kandidatët ishte kalimi me sukses i sprovës se vetting – ut.

Të gjithë prokurorët që sot shërbejnë në SPAK, e kanë kaluar këtë sprovë. Natyrisht që integriteti dhe profesionalizmi i prokurorëve të SPAK nuk verifikohet vetëm një herë. Eshtë detyra e Këshillit të sigurohet në vijimësi për garantimin e standardeve profesionale e etike të prokurorëve të SPAK.

Në këtë kuadër të gjitha institucionet dhe publiku i gjerë janë të ftuar të ndihmojnë Këshillin në realizimin e kësaj detyre të rëndësishme. Nga ana tjetër, nuk duhet harruar se SPAK është institucion i ri i cili, mishëron aspiratën dhe mundësinë tonë më të mirë si shoqëri për arritjen e drejtësisë shoqërore përmes goditjes penale të krimit të organizuar dhe korrupsionit, me gjasë dy plagët më të thella të vendit. Në këto kushte, suksesi i SPAK, do të përcaktohet edhe nga imazhi publik i institucionit të ri dhe besimi që ai duhet të ngjallë tek publiku.

Pikërisht në funksion të garantimit të këtij besimi, pa të cilin institucionet e drejtësisë nuk mund të funksionojnë në asnjë vend të botës, deklaratat publike (qofshin edhe personale) që venë në dyshim integritetin dhe/ose profesionalizmin e prokurorëve janë të qortueshme pasi sistemi ynë ligjor ofron mjete dhe procedura të përshtatshme për trajtimin e çdo pretendimi që lidhet me profesionalizmin dhe integritetin e  prokurorëve.

Çdo pretendim i këtij lloji nuk mund të trajtohet veçse në mënyrën e parashikuar nga ligji dhe në institucionet e parashikuara nga ligji. Në të kundërtën çdo diskutim është i destinuar të jetë vetëm një opinion që vetëm canon në mënyrë të padrejtë imazhin, edhe kështu të brishtë, të institucioneve të reja të drejtësisë.

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *