Vendosni fjalën kyçe....

Merret vendimi për prishjen e 9 pallateve në Kombinat e Astir, Veliaj ironizon Zhupën: Nusja e Çoles


9 pallate në Kombinat e zonën e Astirit do prishen për t’u rindërtuar nga e para.

Vendimi është marrë në Këshillin Bashkiak e sipas kryebashkiakut Veliaj punimi për to do nisë shumë shpejt. Bëhet fjalë për 8 pallate në Kombinat e 1 në zonën e Astirit të cilët u dëmtuan nga tërmeti i 26 nëntorit.

Sipas tij, banorët do marrin bonusin e qirasë për të mos mbetur jashtë deri në përfundimin e apartamenteve.

“Një vendim i marrë me vonesë ose i pa marrë fare shkakton më shumë dhimbje. Këtë agoni e ndërpresim sot për 9 pallate. Janë 8 pallate në Kombinat dhe një në zonën e Astirit. Siç thotë ligji: Vendimi i bashkisë për prishjen e detyruar të ndërtesave në pronësi private apo publike, pra ato raste kur ndërtesa është e dëmtuar nga fatkeqësia natyrore, kur nuk mund të riparohet ose riparimi kushton më shumë se 70% e kostos së ndërtimit nga e para, merret nëpërmjet këtij procesi transparent dhe bazuar në parashikimet e aktit normativ nr. 9, datë 16/12/2019”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku ka ironizuar zëdhënësen e PD-së, Zhupa, lidhur me denoncimin e saj para pak ditësh për tenderin e bashkisë lidhur me bibliotekën e Kombinatit.

“Nga ana e Bashkisë së Tiranës janë marrë të gjitha masat për transferimin e materialeve, si libra, tavolina, rafte apo edhe orenditë e tjera, të cilat janë pjesë e inventarit të kësaj biblioteke. “Mjafton të shikosh bibliotekat si “Misto Treska”, ose biblioteka “Musine Kokalari” apo “Hamit Beqja”, përfshirë edhe bibliotekën e Kombinatit, që libri rifilloi të lexohej në Tiranë kur erdhi administrata e re. Për të sqaruar nusen e Çoles dhe gjithë gjobaxhinjtë e tjerë, kur bashkia blen rafte librash, libra apo tavolina studimi, institucioni i bibliotekës nuk është adresa fizike. Në momentin kur vendosim të prishim pallatin, bibliotekën do ta çojmë ose tek njësia administrative ose do të marrim një hapësirë tjetër me qira. Ndaj, për të sqaruar edhe nusen e Çoles dhe gjithë të tjerët, këtu s’ka trafikantë që i vë dot gjobë kryetarit të bashkisë, jo më aspirantët për bashkinë e ardhshme”, tha Veliaj.

Sipas një projekti të prezantuar pak kohë më parë, të emërtuar Kombinart, përveç pallateve të dëmtuara nga tërmeti do shemben edhe dhjetëra ndërtesa të tjera për t’i hapur rrugën realizimit të projetit.

Banorët të cilëve u është dëmtuar shtëpia nga tërmeti do zënë vetëm një të tretën e apartamenteve të ndërtuara kurse pjesa tjetër do u shitet qytetarëve të tjerë.

Pallatet që do prishen

Pallati 145 – rruga “Sokrat Mosko”

Pallati 163/1 – rruga “Ali Kelmendi”

Pallati 163/3 – rruga “Ali Kelmendi”

Pallati 155/1 – rruga “Llambi Bonata”

Pallati 152/3 – rruga “Haki Stermilli”,

Pallati 131, rruga “Llambi Bonata”

Pallati 159 – rruga “Llazi Miho”

Pallati 141 – rruga “Sokrat Mosko”,

Pallati 154 – rruga “Sokrat Mosko”

*Vendimin e marrë mund ta lexoni këtu: Vendimi


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *