Vendosni fjalën kyçe....

Tre ish-presidentët amerikanë duan ta bëjnë vaksinën anti-Covid para kamerave, nisin talljet në rrjet


Tre ish-presidentët amerikanë Barack Obama, George W Bush dhe Bill Clinton kanë dalë vullnetarë që vaksinën anti-Covid ta bëjnë live në televizion, ose së paku ta filmojnë veten për ta transmetuar më vonë atë.

Siç shkruan BBC, tre ish-presidentët thanë se do ta merrnin vaksinën pasi të jetë miratuar nga rregullatorët dhe të rekomandohet nga zyrtarët shëndetësorë amerikanë.

Ata kanë për qëllim që të rrisin besimin e publikut në sigurinë dhe efikasitetin e vaksinave të koronavirusit.

Asnjë vaksinë nuk është aprovuar ende në SHBA, por rregullatorët qeveritarë do të shqyrtojnë vaksinat Pfizer dhe Moderna në javët e ardhshme.

“Unë ju premtoj se kur të bëhet për njerëzit që janë më pak të rrezikuar, unë do ta marr atë.”– tha Obama në një intervistë në radio SiriusXM të mërkurën.

“Unë mund të përfundoj duke e marrë atë në TV ose ta filmoj, vetëm në mënyrë që njerëzit të dinë që unë i besoj kësaj shkence dhe ajo që nuk kam besim është marrja e Covidit.”– vazhdoi Obama, citon BBC.

Po ashtu edhe përfaqësuesit e Bush dhe Clinton-it i thanë CNN-it se ish-presidentët janë zotuar të marrin vaksinën “sa më shpejt të jetë e mundur” dhe u kërkuan të gjithë amerikanëve të bënin të njëjtën gjë.

Mirëpo pas deklaratës së presidentit Obama, RT shkruan se kanë nisur talljet në rrjet. Amerikanët i kanë kujtuar atij krizën e ujit të pijshëm në Flint.

Fatkeqësia famëkeqe shëndetësore filloi në vitin 2014, kur, për shkak të keqmenaxhimit, tubat e ujit iu nënshtruan korrozionit dhe kontaminuan furnizimin e qytetit me plumb. Në maj të vitit 2016, Obama vizitoi Flint-in dhe gjatë një conference për shtyp, piu pak nga uji i ri para kamerave për të dëshmuar se ishte i sigurt.

Por katër vite më vonë, qyteti ende nuk ka ujë plotësisht të pastër, pasi jo të gjithë tubat e kontaminuar janë zëvendësuar.

Kriza e ujit në Flint rezultoi në të paktën 12 vdekje dhe mijëra njerëz u ekspozuan ndaj plumbit, duke pësuar probleme shëndetësore.

“Nëse Obama merr vaksinën, unë padyshim do pres”, tha një përdorues i “Twitter”-it.

Një tjetër shton: “Një tjetër marifet, si kur ai piu ujë në Flint, në Michigan”.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *