Vendosni fjalën kyçe....

Drejtori i FBI-së: Kina është kërcënimi më i madh për SHBA-në


Drejtori i FBI-së thotë se aktet e spiunazhit dhe vjedhjes nga qeveria e Kinës paraqesin “kërcënimin më të madh afatgjatë” për të ardhmen e SHBA-ve.

Duke folur para Institutit Hudson në Washington, Christopher Wray, foli për një fushatë përçarjeje.

Ai tha se Kina kishte filluar të shënjestronte shtetasit kinezë që jetojnë jashtë vendit, duke detyruar kthimin e tyre dhe se po punonte për të kompromentuar studimet amerikane për koronavirusin.

“Rreziqet nuk mund të ishin më të larta”– tha Z. Wray. “Kina është e angazhuar në një përpjekje të plotë shtetërore, për t’u bërë superfuqia e vetme në botë me çdo mjet të mundshëm”.

Nn një fjalim që zgjati gati një orë të martën, drejtori i FBI-së u shpreh ashpër ndaj ndërhyrjeve kineze, duke e akuzuar Kinën për një fushatë gjithëpërfshirëse të spiunazhit ekonomik, të vjedhjeve të të dhënave dhe monetare dhe aktiviteteve të paligjshme politike, duke përdorur ryshfet dhe shantazhe për të ndikuar në politikën e SHBA-ve.

“Tani kemi arritur në një pikë ku FBI –ja tani po hap një rast të ri kundër-zbulimit të lidhur me Kinën çdo 10 orë”– tha Z. Wray. “Nga afro 5,000 çështje aktive të kundërzbulimit që ndodhin aktualisht në të gjithë vendin, gati gjysma janë të lidhura me Kinën.”

Drejtori i FBI-së tha që presidenti kinez Xi Jinping kishte drejtuar një program të quajtur “Gjuetia e Dhelprave”,  që nisi në vitin 2014 si pjesë e lëvizjes gjithëpërfshirëse të kundër korrupsionit. Qëllimi i supozuar i programit ishte arrestimi i mijëra zyrtarëve dhe biznesmenëve të korruptuar që kishin ikur jashtë vendit.

Por, drejtori i FBI-së, Christopher Wray tha se në realitet, “Operacioni Gjuetia e Dhelprave” nuk është një fushatë anti-korrupsioni. Por synon rivalët e pushtetit komunist.

“Ne po flasim për rivalët politikë, disidentët dhe kritikët që kërkojnë të ekspozojnë shkeljet e gjera të Kinës të të drejtave të njeriut”- tha ai. “Qeveria kineze dëshiron t’i detyrojë ata të kthehen në Kinë, dhe taktikat e Kinës për ta realizuar këtë janë tronditëse.”

Ai vazhdoi: “Kur nuk mund të gjente një objektiv të ‘Gjuetisë së Dhelprave’, qeveria kineze dërgonte një emisar të vizitonte familjen e synuar këtu në Shtetet e Bashkuara. Mesazhi që ata i kalonin? Shënjestra kishte dy mundësi: të kthehej menjëherë në Kinë, ose të kryejë vetëvrasje “.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *