Vendosni fjalën kyçe....

“Shoqërinë civile e gjen në borderotë e shtetit” – Lubonja komenton edhe marrëdhënien Meta-Rama


Pandemia e ka forcuar pushtetin e Ramës në raport me opozitën por e ka dobësuar ekonomikisht, tha analisti Fatos Lubonja pasditen e sotme.

I ftuar në News24, ai komentoi ngjarjet e fundit politike në vend duke theksuar se qeveria e Ramës ka bërë shumë pak për qytetarët e bizneset duke mbetur e fokusuar te oligarkët.

“Në disa aspekte pandemia e ka forcuar pushtetin e Ramës. Në raport me opozitën dhe rezultatet e pandemisë në vetvete pushteti i tij është forcuar. Ajo që mendoj se e dobëson dhe vazhdon ta dobësojë është çështja ekonomike. Qeveria ka bërë shumë shumë pak. Ka vazhduar të jetë një qeveri e fokusuar te interesat e oligarkëve. Protestat që zhvillohen kanë të bëjnë me autoritarizmin në rritje, është shfrytëzuar pandemia për të rritur autoritarizmin. Ne kemi më pak ndjeshëmri demokratike se Serbia apo Mali i Zi, më pak disidencë, edhe popullin e kemi më të varfër, më të nënshtruar.” – tha Lubonja.

Ai tha se e gjithë shoqëria civile është në borderotë e shtetit duke u paguar aty. Lubonja komentoi edhe zgjedhjet në universitete duke thënë se qeveria po kërkon kapjen kapilare të gjithçkaje duke shtuar se nuk mund të bëhen zgjedhje në universitete në një kohë që Shqipëria ka karantimin më të egër në Europë.

Lidhur me drejtësinë Lubonja tha se reforma ka pasur si qëllim luftën politike duke shtuar se sistemi është rrumpallë.

Ai shtoi gjithashtu se presidenti Meta po bëhet gati për pazarin e radhës me Ramën e nëse kjo ndodh, i humburi do jetë kreu i shtetit.

“Aprovimi i ndryshimeve të Kodit Penal ishte jokushtetues. Kjo është një metodë shtrënguese e Ramës, që do të ketë pasoja edhe në të ardhmen. Unë pashë dhe një reagim të fundit të Metës për çështjen Dvorani, që të linte të dyshoje shumë, sigurisht nuk dihet çfarë pazaresh kanë, por që dihet se nuk janë për interesa të Kushtetutës, por për pazare që ka bërë klasa jonë politike historikisht, për t’i shërbyer bizneseve të tyre, biznesit të pushtetit.” – tha ai.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *