Vendosni fjalën kyçe....

PD akuza Ramës për tenderin e pajisjeve mjekësore: U blenë me dyfishin e çmimit


Partia Demokratike ka denoncuar sot tenderin prej 3.5 milion dollarë të materialeve mbrojtëse shëndetësore.

Ish-deputetja e PD-së Albana Vokshi dhe Enkelejd Alibeaj dolën të jepnin deklaratën jashtë ambienteve të Ministrisë së Shëndetësisë.

Vokshi akuzoi qeverinë se i ka blerë këto pajisje mjekësore me dyfishin e çmimit të tregut.

 “Të dashur bashkëqytetarë,
Jam sot, bashkë me kolegun Enkelejd Alibeaj për të denoncuar një nga aferat më të mëdha të qeverisë në kohën e pandemisë. Bëhet fjalë për mbi 200 mijë maska dhe mjete të tjera mbrojtëse, të blera nga qeveria me çmime stratosferike. Do të sjellim prova për një abuzim skandaloz me paratë e shqiptarëve. Ne besojmë se ky abuzim i madh ka detyruar qeverinë të klasifikojë si sekret këta tendera hajdutësh, që e zhdoganojnë një maskë me 3 euro dhe e blejnë me 8 mijë lekë me çmim shumice.

Ky është vendimi i qeverisë që e klasifikon sekret tenderin urgjent të 21 marsit për blerjen e pajisjeve mbrojtëse spitalore. Me këtë vendim, Edi Rama mban të fshehur çmimet e këtyre blerjeve skandaloze. Por ne i kemi zbuluar ato dhe sot do t’ia bëjmë të njohur qytetarëve shqiptarëve atë që qeveria fsheh me tenderin 3.5 milionë dollarë. Pse themi që ka një abuzim skandaloz që fare mirë mund të quhet edhe vjedhje në kohë pandemie?! Sepse janë blerë maska dhe pajisje të tjera spitalore me dyfishimin e çmimit në disa raste edhe me trefishin e çmimit të zhdoganuar. Po ju sjellim provat. Bleva dje pasdite në farmaci një maskë mbrojtëse nga ato që ka bkerë edhe qeveria. Çmimi ishte 4 mijë lekë.

Sa lekë e ka blerë Qeveria shqiptare këtë maskë 4 mijëlekëshe? Plot, dyfishin e cmimit, me 8 mijë lekë të vjetra. Pra me pakicë blihet 4 mijë lekë, ndërsa më shumicë Qeveria e blen nga kompanitë “FARMA NET dhe EUROMED” me 8 mijë lekë të vjetra. Ky është krim! Dhe kur krimin përpiqesh ta fshehësh me kontrata sekrete, me mungesë transparence, krimi bëhet edhe më i rëndë, sepse provon që është bërë me vetëdije për të vjedhur. Të pranosh të blesh 8 mije lekë një maskë që me pakicë në Farmaci shitet 4 mijë lekë do të thotë vjedhje në mes të ditës. Kush mendon se për shkak të krizës, nuk është vëmendja tek ajo që bën Qeveria, sesi vjedh Qeveria, sesi keqpërdor paratë e shqiptarëve Qeveria, gabohet shumë rëndë. Sa më shumë që kryeministri, ministria e Shëndetësisë fshehin vjedhjet me kontrata sekrete, sa më shumë kohë kalon pa bërë transprencë për çdo qindarkë të shpenzuar, aq më shumë është e vendosur opozita për të dalë në mbrojtje të interesot publik. Të dashur bashkëqytetarë! Ky skandal është edhe më i rëndë sesa kaq. Kolegu Alibeaj do të tregojë sesi kjo vjedhje ka ndodhur edhe me materialet e tjera të blera me këtë tender. ”, tha Vokshi.

Ndërsa Enkelejd Alibeaj tha se PD kishte siguruar dokumente nga Dogana Shqiptare, të cilat provojnë abuzimin me kontratat e shpallura sekrete nga qeveria.

“Në përmbushje të misionit tonë dhe mbrojtjes së interesit të qytetarëve, për të kontrolluar mënyrën sesi Qeveria po i përdor paratë tuaja në këtë kohë krize, Partia Demokratike ka siguruar dokumentacionin nga Dogana Shqiptare. Dokumenti provon abuzimin me kontratat e shpallura sekrete nga qeveria.

PRODUKTI ÇMIMI NË ZHDOGANIM ÇMIMI NË TENDER
Maskë mbrojtëse FFP2 3 euro 6.5 euro

(800 lekë)
Veshje spitalore me një përdorim për dhoma izolimi 9.60 euro 28 euro
(3400 lekë)
Mbrojtëse për sytë një përdorimshme 2.90 euro 6 euro
(740 lekë)
Maskë spitalore koke një përdorimshe për dhoma izolimi 3.80 euro 8 euro
(980 lekë)

Qeveria i ka zhdoganuar maskat me 3 euro dhe pastaj i ka blerë me 8 mijë lekë copën, ose me rreth 6.5 euro, Pra, Qeveria i ka blerë maskat me rreth 2 fishin e çmimit real. I njëjti skandal, rezulton edhe për materialet e tjera në këtë tender: Qeveria ka zhdoganuar me çmim 9.6 euro veshje spitalore me 1 përdorim dhe pas pak ditësh ka blerë me 28 euro 1 veshje. Pra Qeveria i ka blerë me rreth 3 fishin e çmimit real. Po kështu, mbrojtëset me 1 përdorim për sytë Qeveria i ka zhdoganuar me çmimin e tregut 2.9 euro, por i ka blerë me rreth 6 euro copën, 2fishin e çmimit real. Qeveria ka vjedhur edhe me maskat spitalore një përdorimshe për dhoma izolimi. I ka zhdoganuar me 8 euro dhe ia ka blerë kompanisë së preferuar me dyfishin e çmimit real, me reth 8 euro. Kjo është vjedhje dhe për ne kjo është e papranueshme! Qytetarët janë të lodhur nga kjo qeveri që nuk ndalet duke futur duart në xhepat e qytetarëve edhe në ditët e tyre më të vështira.

Abuzimet kaq të mëdha me taksat e shqiptarëve provojnë edhe një herë se Edi Rama ka para në buxhet, por këto para i ka për të vjedhur, i ka për t’i ndarë me klientët dhe me oligarkët e koncesioneve.

Në emër të Partisë Demokratike, kërkoj sot nga Qeveria, nga Edi Rama personalisht, që të anullojë menjëherë çmimin skandaloz të blerjes së këtyre materialeve, të kthejë në Buxhet paratë e paguara tepër dhe të vjedhura. Ato para, në vend që të shkojnë në xhepat e qeveritarëve të korruptuar dhe klientëve të tyre, t’u shkojnë menjëherë familjeve në nevojë dhe biznesit në krizë.”, tha Alibeaj.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *