Vendosni fjalën kyçe....

“U iku policëve nga duart” – Drejtoria e Burgjeve tregon rrethanat e arratisjes së të dënuarit


Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka dhënë hollësi lidhur me ngjarje e mesditës së sotme ku një i dënuar në burgun e Bënçës në Tepelenë arriti të arratisej për pak çaste, duke dalë jashtë rrethimit të burgut.

Sipas drejtorisë së burgjeve, i dënuari ishte shoqëruar në gjykatë për seancën e radhës por gjatë kthimit ai u ka ikur nga duart punonjësve të burgut.

Në njoftim thuhet se ai ka vrapuar rreth 200 metra duke kaluar rrethimin por është kapur brenda pak minutash nga punonjësit e sigurisë së burgut. Drejtoria e Burgjeve thekson se ka nisur hetimet për ngjarjen në fjalë.

Njoftimi

‘Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve informon se sot më datë 14.04.2020, rreth orës 12:40, në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale Tepelenë, i burgosuri E.S, i datëlindjes 19.07.1987, ka tentuar të arratiset nga vendi i vuajtjes së dënimit.

Shtetasi E.S, është shoqëruar për në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor nga forcat e policisë të IEVP Tepelenë, për të marrë pjesë në seancën e planifikuar datë 14.04.2020 ora 11:30.

Pas përfundimit të seancës gjyqësore, i paraburgosuri është shoqëruar nga forcat e policisë së burgut, për t’u kthyer sërish në institucion.

Gjatë kryerjes së kontrollit trupor, ai i’u ka ikur punonjësve nga duart dhe ka vrapuar rreth 200 metra, duke kaluar edhe rrethimin perimetrik me qëllim arratisjen.

Falë reagimit të menjëhershëm të punonjësve të grupit të sigurisë së IEVP-së Tepelenë, të cilët u vunë në ndjekje direkte, i burgosuri u kap brenda pak minutave duke e kthyer sërish në qeli.

Lidhur me ngjarjen janë njoftuar Policia e Shtetit, Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm dhe janë duke vazhduar hetimet për rrethanat e ngjarjes, shkaqet, përgjegjësitë konkrete të punonjësve.

Shtetasi E.S,  ka pasur masën e sigurisë “arrest me burg” që nga data 25.09.2019, i dyshuar për veprën penale vrasje të mbetur në tentativë dhe trafikim të lëndëve narkotike.

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka nisur hetimet e menjëhershme për të vlerësuar, analizuar dhe hetuar ngjarjen.

Ju faleminderit!’


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *