Vendosni fjalën kyçe....

Vokshi publikon videon: Policia e Spanjës si nata me ditën, me atë që promovon Rama


Ish-deputetja e Partisë Demokratike Albana Vokshi, ka publikuar një video të policisë spanjolle e cila shfaqet në një prizëm krejt ndryshe nga ai në të cilin e paraqiti kryeministri Edi Rama ditën e djeshme.

Një polic shfaqet duke kënduar për fëmijët që ndodhen në karantinë.

Vokshi shprehet se mënyra se si operojnë policët në Spanjë, ndryshon si nata me ditën nga policia algjeriane që kryeministri Edi Rama promovoi një ditë më parë.

“Këngë për fëmijët, jo dhunë me shkop gome. Shikoni si ndryshon si nata me ditën policia algjeriane që Edi Rama e promovon për dhunën kundër qytetarëve me policinë europiane të një vendi demokratik si Spanja.

Policë që këndojnë dhe argëtojnë në distancë fëmijët. Video është e datës 17 Mars në një rajon të Spanjës së izoluar prej koronavirusit. Duke konsideruar argëtimin e fëmijëve në karantinë si shërbim për komunitetin, mesazhi i policisë spanjolle është frymëzues:

‘Ky është gjithashtu një shërbim për qytetarin.  Oficerët e policisë janë gjithmonë duke u kujdesur për më të voglin e shtëpisë.  Kjo është @policia juaj’, kanë shkruar ata në Twitter.”- shkruan Vokshi.

Sipas ish-deputetes, qytetarët nuk kanë nevojë të dëgjojnë kërcënime nga kryeministri.

“Shqiptarët nuk kanë nevojë të dëgjojnë 3 herë në ditë nga kryeministri fjalime me kërcënime, me dhunë dhe mallkime.

Si njeri me dy fytyra, Edi Rama paguan për një ditë 22 milionë për 4 ndërtues, por akoma nuk ka lëshuar asnjë qindarkë për pagat e qytetarëve që po rrinë të detyruar në shtëpi, për bizneset e mbyllura, për shëndetësinë e dobësuar akoma më shumë nga koncesionet e tij korruptive. 

Kjo kohë e vështirë na ka treguar se ne, më shumë se kurrë, nuk kemi nevojë për një polic sadist në krye të qeverisë, por për një kryeministër normal, që qetëson qytetarët, i inkurajon ata, nuk i përçan, por i bashkon.” -shkruan ish-deputetja.

Rama ditën e djeshme publikoi videon e policisë algjeriane duke dhunuar barbarisht qytetarët dhe tha se kjo po ndodhte në Spanjë. Por pasi ambasadori spanjoll e korigjoi, ai kërkoi ndjesë për gabimin por jo për përmbajtjen e mesazhit të tij, duke paralajmëruar qytetarët se do përdorej forcë ndaj tyre nëse shkelin masat e vendosura nga qeveria.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *