Vendosni fjalën kyçe....

Rritet në 59 numri i personave me koronavirus në Shqipëri


Ka shkuar në 59 numri i personave të prekur nga koronavirusi në vend. Lajmi është konfirmuar nga Ministria e Shëndetësisë.

Bëhet fjalë për katër raste të reja, të katërta në Tiranë, çka do të thotë se harta e qyteteve të prekura nga koronavirusi nuk ka ndryshuar. Kryeqyteti mban rekordin e numrit më të lartë të të infektuarve, me plot 42 të tillë.

Prej tyre, tre pacientë të shtruar në spitalin e Infektivit po mbahen në terapi intensive. Ndërsa pjesa tjetër e të shtruarve në pavion janë në gjendje të stabilizuar deri në këto momente.

Kujtojmë se më herët u mësua dhe lajmi i hidhur se një nga pacientët që mbahej në reanimacion me aparatura, ka ndërruar jetë duke e çuar në dy numrin e të vdekurve nga koronavirusi në Shqipëri.

Nga 59 të infektuarit, 9 prej tyre janë mjekë e infermierë. Vetëm njëri prej tyre është nga spitali i Durrësit kurse 8 të tjerët janë të spitalit “Shefqet Ndroqi” në Tiranë. Ata u infektuan pasi ishin kujdesur për një pacient, i cili ishte vizituar nga një i afërm që kishte qenë në Itali.

 

DETAJET E MINISTRISË SË SHËNDETËSISË

Ju informojmë për situatën e fundit të COVID-19 në Shqipëri.
Mëngjesin e sotëm ka ndërruar jetë një pacient i moshës 66-vjecare në spitalin Infektiv, që vuante nga disa sëmundje shoqëruese: insuficenca kardiake, edemë pulmonarë dhe insuficencë renale. Prej disa ditësh pacienti ishte i intubuar (me respiracion të drejtuar) në gjendje të rëndë shëndetësore.

Gjatë ditës së djeshme, në vijim të ndjekjes dhe trajtimit shëndetësor të pacientëve të konfirmuar me COVID-19 në spitalin infektiv, është kryer ritestimi për kontaktin e parë të pacientit zero, i cili ka rezultuar negative. Do të vijohet me testin e radhës për të konfirmuar negativizimin nga COVID-19 për këtë pacient.

Ju bëj me dije se, në 24 orët e fundit janë testuar 60 persona të dyshuar, prej të cilëve janë konfirmuar 4 raste të reja me COVID-19. Tre janë raste kontakti në gjendje të mirë shëndetësore dhe një rast i ri, një pacient 66-vjeçar që po trajtohet në terapi intensive në spitalin infektiv në QSUT. Deri në këto momente janë testuar 665 raste të dyshuara dhe prej tyre janë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 59 raste:

Tiranë-  42 raste 
Durrës-  5 raste 
Lushnje-  2 raste
Elbasan- 2 raste
Fier- 6 raste
Rrogozhinë- 2 raste

30 pacientë janë të shtruar në spitalin Infektiv (nga Tirana, Durrësi, Fieri, Elbasani  dhe Rrogozhina).

Prej tyre, tre pacientë janë në terapi intensive. Ndërsa pjesa tjetër e të shtruarve në pavion janë në gjendje të stabilizuar deri në këto momente.
Jemi duke vijuar me testimin e rasteve të dyshuara për ndërprerjen e zinxhirit të transmetimit të infeksionit. 

Edhe një herë një lutje për qytetarët: Mos shkoni menjëherë në spital! 
Telefononi 127 kur keni shenja të sëmundjes!
Pavarësisht masave të marra, e rëndësishme është izolimi social, masat vetjake, që të frenojmë sa më shumë përhapjen e infeksionit. Mënyra më e mirë për të ndihmuar personelin shëndetësor dhe për të përballuar këtë situatë është që qytetarët të qëndrojnë në shtëpi./Hashtag.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *