Vendosni fjalën kyçe....

“Dhe kur Kosova, herët a vonë, të ulet nesër njësoj si Shqipëria në atë tryezë…” – Rama për Minishengenin ballkanin


Kryeministri Rama ka shkruar një reagim të gjatë në Facebook lidhur me ato që i quan akuza ndaj tij për çështjen e Minishengenit ballkanik.

Kreu i qeverisë shkruan se Serbisë nuk i intereson që Kosova të marrë pjesë në këtë marrëveshje, ndërsa thekson se ajo mbështetet pa rezervë nga SHBA-ja dhe BE-ja.

‘ATYRE QË U BËNË BAJAT duke sharë e mallkuar pa hesap këtu këto ditë, në emër të Kosovës sipas tyre, dy fjalë po u them: Më së pari, sinqerisht uroj edhe për ju gëzuar Krishtlindjet e Vitin e Ri!

Ju kam ndjekur me keqardhje në rrekjen tuaj, për të më kryqëzuar si “tradhëtar”, “të shitur”, “bërllog”, madje “qen i keq” e bile edhe “djall” dhe çfarëdo tjetër gjuhës suaj, lëshuar pa fre i ka ardhur për mbarë. Faleminderit!

Tani një pyetje po ju bëj, si “vëllau i Vuqiqit”, juve o “atdhetarë”, që atdheun e dini në këto raste thikë në majë të gjuhës, për të prerë dhe mundësisht për të vrarë:

Si mendoni Ju, “vëllaut tim” serb i pëlqen më shumë që Kosova të vijë në tryezë a të mos vijë?

Ju’a them unë që mos lodheni ta mendoni: Të mos vijë fare!

Sepse duke mos ardhur në tryezë Kosova nuk flet dot, nuk dëgjohet dot, nuk ndikon dot dhe as nuk fiton dot asgjë! Ndërsa piskamat Tuaja ndaj meje, i dëgjoj unë jo ai! Madje askush tjetër, as Shtetet e Bashkuara e as Bashkimi Europian, që e mbështesin pa rezervë atë tryezë dhe e duan Kosovën bashkë me të gjithë në tryezë, nuk i dëgjojnë ato piskama dhe hiç aspak mirë nuk mendojnë për mungesën e Kosovës.’ – shkruan Rama.

Më tej, kryeministri shton se nuk është as tradhëtar dhe as hero, duke shtuar se mendimin e tij për Kosovën e Serbinë e ka thënë në Beograd, duke i bërë thirrje Serbisë që ta njohë Kosovën si shtet dhe të çlirohet nga e shkuara.

‘Mua mallkimet e ofendimet Tuaja, sado Ju të hidheni përpjetë, nuk më bëjnë dot as tradhëtar e as Esat Pashë, ashtu sikundër lëvdatat e komplimentat në raste të tjera, nuk më bëjnë hiç asfare, as hero e as Ismail Qemal! Unë nuk isha hero kur shkova në Beograd dhe e thashë mu në Pallatin e Serbisë, shqip, atë që mendoja e që mendoj sot e gjithë ditën për Kosovën. Kosova është shtet sovran dhe Serbia duhet ta njohë si shtet, sepse është edhe në të mirën e saj të çlirohet nga fantazmat e të shkuarës. Pikë! Kur u nisa atëherë për Beograd nuk latë fjalë të ulët pa më thënë. Kur u ktheva nga Beogradi, nuk latë lëvdatë të tepërt pa më dhënë. Po për mua ishte njësoj, sepse unë isha i njëjti edhe kur shkova edhe kur u ktheva, siç jam edhe sot. E njësoj si atëherë edhe sot, unë bëj atë që kam bindje se është e drejtë për vendin e për kombin tonë. Thjesht si shqiptar jo si hero, as si tradhëtar jo e jo! Lëvdatat e sharjet e rastit, nga një vesh më hyjnë e nga tjetri më dalin të them të drejtën. Jam mësuar me to dhe e di mirë që koha dhe historia nuk lexojnë gazeta e portale, as nuk ndikohen nga analistë e nga rrjete sociale. Dhe koha e historia do të flasin nesër drejtë, e do t’u japin hakun të drejtëve dhe të shtrembërve të sotëm. Të tjerat janë llafe të sotme që i merr era e nesërme.’ – shton Rama.

Në fund, kreu i qeverisë shkruan se me këtë marrëveshje, kufijtës mes Kosovës e Shqipërisë zhduken ndërsa me krijimin e qeverisë së re të Prishtinës, ai do ua shpjegojë atë që po ndodh dhe se Kosova nuk do ketë se nga të shkojë veçse të ulet në tavolinë e të bëhet pjesë e marrëveshjes, duke parë nga e ardhmja, bashkë me Shqipërinë.

‘Deri dje, pa u hapur ky proces që sharjet, mallkimet e fabrikimet harrojeni se e ndalin, Shqipëria dhe Kosova s’kishin asnjë shans që ta hapnin kufirin mes tyre. Zero! Sot kjo është një mundësi reale pikërisht sepse edhe “vëllau serb”, siç e quani ju Presidentin e Serbisë, kur kujtoni se po më qëlloni për vdekje me gjuhën e bërë thikë, e ka pranuar lirinë e lëvizjes së njerëzve në rajon si një prej qëllimeve madhore të tryezës. Pa kushte! Që do të thotë se kur ne të hapim kufirin mes Shqipërisë e Kosovës, nuk ngrihet dot as ai dhe as kushdoqoftë tjetër, të verë kujën për rrezikun e “Shqipërisë së madhe”. Kur të krijohet qeveria e re e Kosovës dhe të ulemi në tryezë për të vijuar bashkëpunimin, tash po e shihni vetë çka sot po ju’a shpjegoj e rishpjegoj më kot, duke marrë mbrapsht ato që hidhni mbi mua kot më kot. Dhe kur Kosova, herët a vonë, të ulet nesër njësoj si Shqipëria në atë tryezë, se s’ka kah shkon tjetër përveçse nga e ardhmja, bashkë me Shqipërinë, tash e shohim kush ka të drejtë, unë apo ju. Sot e lemë me kaq, se është ditë Krishtlindjesh dhe po e mbyll me një përqafim për të gjithë ju nga unë, që vëllazërisht ju uroj çdo të mirë me këdo ju do zemra, e sa më shumë dritë në shpirt e në mendje secilit prej jush, për veten e për Kosovën dhe krejt kombin tonë natyrisht.’ mbyll Rama reagimin e tij.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *