Vendosni fjalën kyçe....

Johnson miraton publikimin e raportit për ndërhyrjen e mundshme ruse në politikën britanike


Kryeministri i Britanisë së Madhe Boris Johnson ka aprovuar lëshimin e një raporti të diskutueshëm mbi ndërhyrjen e pretenduar ruse në politikën britanike, raporton Independent.

Raporti 50-faqesh i Komisionit të Parlamentit për Inteligjencë dhe Siguri (ISC), analizon aktivitetet e Rusisë, përfshirë ndërhyrjen e mundshme në referendumin e Brexit të vitit 2016, kur 52 për qind e britanikëve votuan të largohen nga BE.

Por ky komision u shpërnda për shkak të zgjedhjeve parlamentare të së enjtes së kaluar dhe raporti nuk mund të lëshohet derisa të rivlerësohet, i cili mund të zgjasë disa javë. Anëtarët e Komisionit zgjidhen nga kryeministri dhe kreu i opozitës nga radhët e Liberalëve, e cila më pas votohet nga Parlamenti.

Komiteti e nisi hetimin në nëntor 2017 dhe ia dërgoi raportin kryeministrit në mes të tetorit të këtij viti, tha ish-kryetari i trupit, Dominic Grieve.

Në fillim të nëntorit, qeveria u kritikua për refuzimin e botimit të raportit përpara zgjedhjeve të 12 dhjetorit, duke përmendur interesat e sigurisë kombëtare.

Sidoqoftë, një zëdhënës i Boris Johnson tha sot se botimi i raportit “nuk do të dëmtonte organizatat që mbrojnë sigurinë tonë kombëtare”.

Hetimi i ISC ishte në përgjigje të shqetësimeve për ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet e SHBA për vitin 2016 dhe ndikimin e fushatave dezinformuese nga Rusia.

Po ashtu përmendet edhe helmimi i ish-agjentit rus Sergei Skripal në qytetin britanik Salisbury, të cilin Londra ia atribuon Moskës. Rusia ka mohuar çdo përfshirje, por çështja ka çuar në një valë dëbimi të diplomatëve të Londrës dhe aleatëve të saj nga Moska.

Johnson është kritikuar për bllokimin e raportit të Komitetit të Inteligjencës dhe Sigurisë përpara zgjedhjeve të përgjithshme, dhe kreu i këtij komiteti, Dominic Griev, e quajti vendimin e kryeministrit “befasues”.

“Nëse do ta bënte atë tani, ai mund ta kishte bërë atë përpara se të shpallen zgjedhjet,” tha Griev për Independent.

Gazeta britanike vëren se ky raport nuk mund të publikohet para emërimit të një Komiteti të ri për Inteligjencën dhe Sigurinë dhe nuk pritet të dalë para janarit.