Vendosni fjalën kyçe....

Minatorët e Trepçës solidarizohen me ata të Bulqizës, kërkesë qeverisë shqiptare: Merr masa ndaj AlbChrome


Sindikata e Minatorëve të Pavarur të Trepçës në Kosovë, është solidarizuar me minatorët e Bulqizës. Këta të fundit kanë nisur një sindikatë të re të titulluar Sindikata e Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës (SMBB) pasi ndjejnë se sindikatat e tjera në vend janë bërë palë me koorporatat dhe nuk shohin më interesat e minatorëve.

Përmes një deklarate, sindikata e minatorëve të Trepçës e ka konsideruar të paligjshëm shkarkimin e kreut të SMBB-së, Elton Debreshi nga kompania e biznesmenit Samir Mane, “AlbChrome”.

Po ashtu, kjo sindikatë kërkon nga qeveria shqiptare të marrë masa ndaj kompanisë.

“Sindikata e Pavarur e Minatorëve të Trepçës e konsideron si të paligjshëm shkarkimin nga puna të kryetarit të Sindikatës së Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës, Elton Debreshi, nga kompania AlbChrome.

Ne shprehim keqardhjet tona për kryetarin Elton Debreshi dhe për të gjithë minatorët e tjerë që janë shkarkuar nga puna vetëm pse kanë kërkuar kushte më të mira të punës.

Puna jonë si minatorë është mjaft e vështirë, andaj sa herë që kërkojmë kushtet më të mira dikush pëson, mirëpo ne minatorët si të bashkuar gjithmonë do të kërkojmë më të mirën për ne .

Do ta keni përkrahjen tonë gjithmonë për çdo kërkesë të drejtë e cila është në të mirën e minatorëve, ne jemi gjithmonë këtu për ju.

Shprehim solidaritetin ndaj Sindikatës së Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës e sidomos për kryetarin Elton Debreshi, i cili ka dalë në mbrojtje të të drejtave të punëtorëve dhe në fund ka përfunduar me shkarkim nga puna.

Kërkojmë edhe nga Qeveria e Shqipërisë që të marrë masa ndaj kësaj kompanie që shkarkon punëtorë pa asnjë arsye.

Ne nuk do të qëndrojmë duarkryq, por do ju mbështesim gjithmonë, ashtu siç na mbështetni edhe ju ne, andaj me shpresën më të madhe kërkojmë rikthimin e kryetarit Elton Debreshi në vendin e punës dhe të të gjithë minatorëve të tjerë që janë të larguar nga puna.

Respekt për Minatorët e Bulqizës!”– thuhet në njoftim.

Para disa ditësh, SMBB njoftoi se kompania e Samir Manes, ka pushuar nga puna një tjetër anëtar të sindikatës së sapokrijuar. Ai quhet Beqir Duriçi dhe është anëtar i Këshillit Sindikal dhe Përgjegjës i Financave të SMBB-së. Kjo sindikatë akuzon kompaninë se po u ushtron presion punonjësve të saj që janë anëtarësuar në këtë sindikatë.

Minatorët kërkojnë paga më të mira, pagesë për ditët e bojkotit dhe po ashtu ndalim të presioneve. Ata shprehen se sindikatat e tjera në vend janë bërë palë me kompanitë dhe nuk po punojnë më për të respektuar të drejtat e minatorëve.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *