Vendosni fjalën kyçe....

Problematika në projektet me financim të huaj, KLSH: Dëm ekonomik 134.5 milionë lekë


Nisur nga Problematikat e Konstatuara në Drejtorinë e Përgjithshme të Kontraktimeve të Fondeve IPA, Bankës Botërore dhe Donatorëve të tjerë, bëhet me dije se u iniciuan 2 auditime të projekteve të financuara nga fondet IPA të kryera nga Departamenti i Auditimit të Shoqërive Publike dhe Investimeve të Huaja.

KLSH, si organ auditues, në drejtim të investimeve dhe projekteve me financim të huaj, ka ushtruar 7 auditime mbi aktivitetin ekonomiko-financiar dhe realizimit për investimet dhe financimet me fonde të huaja. Nga këto auditime 2 janë auditime të kryera në vitin 2018 dhe 5 të tjerë janë auditime të kryera në 9 mujorin e vitit 2019.

“Theksojmë faktin që gjatë 9 mujorit 2019 kemi audituar edhe Projekte me fonde të BE, konkretisht projektet IPA 2012 “Asistencë teknike për përmirësimin e standardit të sigurisë rrugore”, IPA 2012 “Ndërtimi i sistemit të kanalizimit në Vlorë, faza II”, IPA 2013 në AKU “Ristrukturimi dhe forcimi i rrjetit laboratorik të sigurisë ushqimore dhe veterinarisë në Shqipëri” dhe në ADISA projektin “Ofrimi i Shërbimeve publike dhe në qendër qytetarin”. -thuhet në raportin auditues.

Për periudhën objekt auditimi, KLSH për mangësitë e konstatuara ka rekomanduar masa organizative për përmirësimin e punës, si dhe ka rezultuar në evidentimin e shkeljeve si rrjedhojë e moszbatimit të ligjshmërisë me pasojë dëm ekonomik në buxhetin e shtetit.

Bëhet me dije, se në total dëmi ekonomik i konstatuar nga këto auditime për vitin 2018 është 134,517 mijë lekë, shumë e cila është rekomanduar për t’u zhdëmtuar në masën 100% dhe efekte negative në të ardhurat e buxhetit 435,727 mijë lekë.

Gjetjet kryesore nga auditimi i projekteve dhe investimeve me financime të huaja:

-Institucionet Shtetërore dhe Entet Menaxhuese nuk kanë arritur të koordinojnë dhe harmonizojnë veprimtarinë e tyre për të realizuar disbursimet sipas parashikimeve të përcaktuara në Marrëveshjet Financiare, shtyrja e afateve te disbursimeve ka sjellë shtesa në kontratat e konsulencës dhe mbikëqyrjes, duke shkaktuar efekte negative financiare në rritjen e kostos së projektit. Njësitë e Zbatimit të Projektit nuk kanë bërë një planifikim në vite për konkludimin e fondeve (huave/kredive) të akorduara, duke sjellë që në të gjitha projektet e audituara të jetë kërkuar dhe të shtyhet afati i realizimit të disbursimeve si dhe te rriten kosto e projektit për tarifën e angazhimit, e cila përballohet nga Qeveria Shqiptare për pjese e huave/kredive te padisbursuara.

-Në të gjitha projektet e audituara, rezulton se nuk është përmbushur afati i përcaktuar i disbursimeve.

-Njësitë e Zbatimit të Projektit nuk kanë realizuar dhe nuk kane ndërmarrë asnjë veprim për monitorimin e vazhdueshëm dhe mbikëqyrjen e kontratave të punimeve shërbimeve te konsulencës, duke sjellë për pasojë dëm ekonomik për punime të pakryera por të paguara, cilësi të dobët, shtim të volumeve të punimeve dhe vonesa të tej zgjatura dhe të pa argumentuara e justifikuara në realizimin e komponentëve të veçante dhe të projektit në tërësi.

-Njësitë e Zbatimit të Projekteve ose Njësitë e Menaxhimit të Projekteve, kanë shfaqur parregullsi në zbatimin e afateve të përfundimit të kontratave kryesisht për punimet e ndërtimit, si dhe nuk kanë zbatuar penalitetet për kontraktorët të cilët nuk kanë mundur të plotësojmë detyrimin e realizimit të kontratës brenda afateve të përcaktuara. Kur janë shfaqur nevojat për shtyrje të afatit të realizimit të projekteve, nuk është bërë një analizë e hollësishme ku të përcaktohen arsyet e vonesës, masat e marra për realizimin e projekteve, përcaktimi i afatit të ri, si dhe nuk janë nxjerrë përgjegjësitë për vonesat e shkaktuara.

-Mungojnë planet e veprimit për realizimin e veprimtarive të projekteve. Njësitë e Zbatimit të Projekteve nuk e administrojnë dokumentacionin e projekteve në përputhje me legjislacionin shqiptar, kështu konstatohet se përgjithësisht dokumentacioni mbahet në gjuhë të huaj duke vështirësuar punën audituese si dhe nuk ruhet sipas kërkesave ligjore për arkivim.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *