Vendosni fjalën kyçe....

Lulzim Basha: Rama të marrë shembull te Zaev dhe t’i kthejë mandatin popullit


Kryetari i PD-së Lulzim Basha, në një deklaratë për mediat ka kërkuar nga kryeministri Edi Rama që të marrë shembull nga homologu i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, e të japë dorëheqjen dhe të marrë përgjegjësi për mos hapjen e negociatave.

Basha tha se Evropa refuzoi Edi Ramën dhe jo Shqipërinë, me vendimin për të mos hapur negociatat. Sipaskryedemokratit, shumica e vendeve anëtare të BE ishin në një mendje, se qeveria shqiptare nuk e meriton hapjen e negociatave.

Vlerësim sipas meritës është qëndrimi i prerë i vendeve anëtare, për vendet që duan t’i bashkohen BE-së. 

Shumica e vendeve ishin në një mendje se qeveria e Shqipërisë nuk e meritonte hapjen e negociatave. Për këtë u artikuluan disa kushte, që në thelb tregon se Shqipëria në këtë qeveri ka bërë hapa pas vit pas viti. Situata e rëndë ekonomike, mungesa e mundësive që vjen nga kapja e institucioneve dhe pabarazia para ligjit ka detyruar shqiptarët të largohen në numra rekord si azilkërkues.

Krimi dhe korrupsioni janë shqetësim për vendet e BE-së. Ndëshkimi i blerjes së votës, funksionimi i gjykatave të larta në vend, vënia para drejtësisë e të inkriminuarve dhe korruptuara janë kërkesat e panegociueshme për hapjen e bisedimeve të anëtarësimit. Këto nuk janë probleme të BE-së siç deklaron propaganda e kryeministrit aktual. Janë probleme të qeverisjes së tij.

Krejt e ndryshme paraqitet situata për Maqedoninë e Veriut. Asnjë kusht për këtë vend dhe mbështetje gati unanime për hapjen e negociatave, me përjashtim të një vendi. Megjithatë kryeministri Zaev paraqiti dorëheqjen, i ktheu mandatin qytetarëve dhe vendi do të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare. Nga ana tjetër qeveria jonë e cila është refuzuar nga vendet europiane, vazhdon të mos e lëshojë pushtetin në dëm të popullit shqiptar. Ne kemi vetëm një rrugë drejt të ardhmes. dhe kjo është rruga europiane. Europa ka refuzuar Edi Ramën dhe jo Shqipërinë. Dështimi është i Edi  Ramës dhe jo i Shqipërisë. Ky mesazh ka qenë më i fortë se kurrë nga Gjermania që i tha po Shqipërisë dhe jo qeverisë përmes 9 kushteve. Në Europë shkohet duke ndërtuar fillimisht standarde europiane në vendin tënd. Por kjo nuk i intereson Edi Ramës sepse kjo nënkupton zgjedhje të lira dhe të ndershme, ndarje të politikës nga krimi, ndarje dhe balancim të pushteteve, institucione të forta dhe të pavarura të drejtësisë.

Të gjithë jemi dakord se rruga e vetme përpara është rruga drejt Europës. Europa ka refuzuar Edi Ramën dhe jo Shqipërinë. Pa reforma serioze të cilat ai nuk është në gjendje dhe nuk ka vullnetin t’i bëjë, Europa do të vazhdojë ta refuzojë Edi Ramën, por ne shqiptarët do të vuajmë pasojat. Një njeri po na mban peng të gjithëve. Kjo duhet të marrë fund. Është koha që Shqipëria të ndjekë shembullin e Maqedonisë së Veriut, të mbajë përgjegjësitë e saj për dështimet e saj dhe t’i kthejë mandatin popullit shqiptar. Me një qeveri të re, legjitime që drejton procesin e negociatave, përparimi është i mundur.

Jemi një popull i talentuar, i mirëarsimuar dhe punëtor. Ne na duhet një qeveri e re, një qeveri që çon përpara në procesin e integrimit europian, qeveri e dalë nga zgjedhje të lira dhe të ndershme. Kushtet e BE-së janë udhërrëfyesi ynë për të dalë nga kriza, për të ndërtuar një Shqipëri demokratike me mundësi për të gjithë qytetarët e saj. Me politikat e duhura, me drejtimin europian, ne mund dhe do të sigurojmë miqëqenie dhe përparim drejt të ardhmes europiane. Ju faleminderit.”, tha Basha.

Pas përgjigjes negative nga BE-ja, kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev çoi vendin drejt zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, duke mbajtur përgjegjësi. Opozita në Shqipëri po i bën presion qeverisë Rama të bëjë të njëjtën gjë, por duket se kryeministri nuk ka të njëjtën mendje. Madje para dy ditësh, ministri Gent Cakaj tha se kryeministri nuk kishte pse jepte dorëheqjen pasi nuk kishte premtuar hapje të sigurt të negociatave si Zaev dhe nuk kishte premtuar dorëheqje në rast përgjigjeje negative. /Hashtag.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *