Vendosni fjalën kyçe....

Kuvendi i Kosovës shpërbëhet më 22 gusht


Kryesia e Kuvendit të Kosovës ka zgjedhur 22 gushtin si datën për shpërbërjen e Kuvendit të Kosovës, ku edhe do të shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme.

Pas mbledhjes së Kryesisë së mbajtur sot, ka folur shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti.

“Ne u dakorduam të gjithë së bashku se vendi duhet të shkojë në zgjedhje të përgatitura mirë, të gjitha institucionet të marrin detyrat, të gjithë jemi pajtuar se me datë 22 gusht, në orën 10 të shpërbëhet Kuvendi dhe pastaj të ndiqen të gjitha procedurat sipas Kushtetutës për të shkuar vendi në zgjedhje, dhe gjithashtu u dakorduam se përpara shpërbërjes të miratojmë marrëveshjen ndërkombëtare IPA”, ka bërë të ditur ai, citon Gazeta Express.

Për mediat ka folur edhe shefi i deputetëve të PDK-së, Memli Krasniqi, i cili tha se pas shpërndarjes së Kuvendit, presidenti i Kosovës, duhet të caktojë sa më shpejt të jetë e mundur datën për zgjedhjet e reja në koordinim me partitë politike dhe në përputhje me afatet kushtetuese.

“Patën një dakordim të plotë me të gjithë përfaqësuesit e grupeve parlamentare. Presim që gjithë deputetët të jenë prezent, ashtu që ky dakordim për të shkuar në zgjedhje të merr vulën institucionale”, ka thënë ai.

Krasniqi tha se me caktimin e datës së zgjedhjeve do të hapet rruga për krijimin e një qeverie që do të marrë legjitimitet qytetar dhe do të çojë përpara proceset që kanë mbetur pa u përfunduar.

Kryeparlamentari Kadri Veseli pas vendosjes nga kryesia e Kuvendit që vendi të shkojë në zgjedhje, ka vendosur që t’i marrë meritat për këtë çështje, duke bërë edhe pak fushatë.

“E kishim një takim shumë të mirë në të cilin patëm edhe vendimmarrje konsensuale për të marrë disa vendime të cilat janë interes qenësor i qytetarëve të vendit. I falënderoj të gjitha grupeve parlamentare që ju përgjigjen pozitivisht thirrjes sime që të përcaktojmë seancën për shpërndarje të Kuvendit të Kosovës që automatikisht i hap mundësi edhe presidentit të vendit që të dekordojë kuvendin për shpërndarje edhe datën e zgjedhje”, tha ai.

Ai shtoi se e vetmja zgjidhje në momentin kur ka dilema apo situata krize janë zgjedhjet.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *