Vendosni fjalën kyçe....

Drejtuesi i Prokurorisë së Kurbinit konfirmohet në detyrë


Konfirmohet në detyrë drejtuesi i Prokurorisë së Kurbinit, Zeqir Hoda.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit në seancën dëgjimore që u mbajt katër ditë më parë, konstatoi mungesë burimesh të ligjshme në blerjen e dy apartamenteve në Tiranë si dhe ngriti dyshime për dy raste konflikti interesi.

Por prokurori Zeqir Hoda tha se i kishte dokumentuar pasuritë dhe kërkoi konfirmimin.

Trupa gjykuese përbëhej nga Pamela Qirko kryesuese, Etleda Çiftja relatore dhe Genta Tafa Bungo anëtare. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte e pranishme Marie Tuma.

Gjatë seancës dëgjimore, relatorja Etleda Çiftja deklaroi se prokurori Zeqir Hoda kishte marrë një raport pozitiv nga ILDKPKI, por verifikimi i KPK-së kishte arritur në përfundime të ndryshme.

Për një apartament me sipërfaqe 92 m2 në Tiranë, të blerë në vlerën e 3.9 milionë lekëve në vitin 2001, prokurori Hoda ka deklaruar si burim të ardhurat familjare dhe ato nga shitja e një apartamenti në Kukës, 300 mijë lekë dhuratë nga babai dhe dy hua përkatësisht në vlerat 3000 dhe 4000 dollarë. Gjithashtu, ka deklaruar edhe një kredi në shumën 7000 dollarë që ka shërbyer për shlyerjn e huave.

Por KPK ka arritur në përfundimin, se babai i ndjerë i prokurorit Hoda nuk ka pasur mundësi për dhurimin e shumës 300 mijë lekë, pasi nuk rezulton e provuar me dokumentacion justifikues.

E njëjta gjë vlen dhe për huadhënësit, të cilët rezultojnë se nuk kanë pasur mundësi për të dhënë shumat 3000 dhe 4000 dollarë.

Megjithatë pas katër ditëve, KPK vendosi që prokurori Zeqir Hoda të konfirmohet në detyrë.

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *