Vendosni fjalën kyçe....

Dhuna ndaj gazetarëve, të dielën protestë para Prokurorisë së Përgjithshme


Disa ngjarje të  njëpasnjëshme të cilat janë shoqëruar me dhunë fizike dhe verbale ndaj gazetarëve kanë detyruar komunitetin e gazetarëve që të protestojnë ndaj këtyre veprimeve.

Kumuniteti i gazetarëve ka vendosur që të organizojë protestë përpara Prokurorisë së Përgjithshme kundër shprehjeve të dhunës ndaj gazetarëve e cila do mbahet ditën e Dielë.

“Ditën e premte (12.04) rojet e sigurisë së Prokurores së Përgjithshme të Përkohshme Arta Marku, ushtruan dhunë fizike ndaj gazetarit Renaldo Salianji, gjatë kohës që po kryente detyrën e tij.

Pak ditë më parë, Kryetari i Bashkisë së Pukës kërcënoi me “varje” gazetarin e emisionit Investigativ “Fiks Fare”, teksa ky i fundit kryente detyrën.

Forcat e policisë penguan gazetaren Dorjana Bezat teksa raportonte live për shembjen e banesave tek “Bregu i Lumit”. Dhuna policore qëlloi mbi gazetarin Erion Skëndaj gjatë raportimin të protestës së opozitës.

Komuniteti i gazetarëve dënon keto akte të rënda dhe të papranueshme të ndodhura vetëm së fundmi me punonjësit e medias. Këto veprime cënojnë jo vetëm integritetin fizik të gazetarëve, por edhe lirinë e medias.

Sot, gazetarët në Shqipëri po përballen me sulme fizike nga zyrtarë dhe njerëz të pushtetit, sikundër edhe me arrogancën institucionale, që shkel rëndë misionin e medias.

“Si reagim i fortë ndaj dhunës që kërcënon gazetarët, heshtjes së institucuoneve përgjegjese për të dënuar këto akte, kemi vendosur që ditën e Dielë ora 16:00-17:00 para Prokurorisë së Përgjithshme të protestojmë. Ne kërkojmë shkarkimin e menjëhershëm të Truprojës së Arta Markut dhe që Prokuroria e Përgjithshmë të kërkojë falje për aktin e kryer. Ne kërkojmë zbatimin e ligjit për kryetarin e Bashkisë së Pukës. Ne kërkojmë të na lini të kryejmë detyrën tonë! Ne protestojmë për çdo akt që cënon lirinë e medias dhe gazetarit! Lajmësi është i shenjtë!”-thuhet në njoftim.