Vendosni fjalën kyçe....

Gent Cakaj heq targat diplomatike për konsujt e nderit


Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme në detyrë Gent Cakaj, ka vendosur të heqë targat diplomatike për konsujt e nderit.

“Ka ardhur koha që të zhbëjmë një praktikë, sa origjinale në absurdidetin e vet aq edhe në mospërputhje me ligjet ekzistuese në Shqipëri, e praktikat e mira ndërkombëtare. Jemi një vend në botë ku kemi plot 48 konsuj nderi të veshur me privilegje diplomatike ngaqë ata operojnë me targa diplomatike.

Bëhet fjalë në përgjithësi për qytetarë shqiptarë, të cilët ne jemi të nderuar ti kemi për konsuj nderi këtu, biznesmenë të njohur, afaristë të ndryshëm, pronarë mediash, analistë politikë të cilët janë ngarkuar si konsuj nderi nga vendet e ndryshme, pothuajse nga çdo kontinent botës të cilët qarkullojnë me privilegje të caktuara diplomatike në Shqipëri dhe jo vetëm, njësoj si ambasadorët dhe trupi diplomatik i akredituar në Shqipëri.

Shqipëria është e nderuar t’i ketë këta konsuj nderi këtu por edhe ata do të jenë më të nderuar nëse aktiviteti i tyre do të kornizohet në kuadër të ligjit.”, tha Cakaj.

Cakaj u kërkoi 38 konsujve të nderit që të dorëzojnë targat e tyre diplomatike dhe të pajisen me targa të zakonshme, ndërsa paralajmëroi se për çdo rast targat e tyre diplomatike gjithsesi do dalin jashtë funksionit.

“Në shkelje të habitshme të ligjit janë plot 38 konsuj nderi të pajisur me targa CD të cilët hyjnë e dalin nga kufijtë e këtij vendi, jo si qytetarë të thjeshtë shqiptarë, madje as si shumica e zyrtarëve qeveritarë, por si përfaqësuesit më të lartë diplomatik ndërkombëtar.

Ky privilegj special, krejt unikal në Europë dhe mbase dhe më gjerë, është i pajustifikueshëm në çdo këndvështrim, prandaj duhet të marrë fund.

Me përulësinë e keqardhur për këtë ndryshim, informoj të gjithë personat në fjalë se zyra e protokollit do të fillojë menjëherë me kontaktimin e tyre dhe ata janë të detyruar të dorëzojnë targat diplomatike, dhe do të pajisen menjëherë me shenjën dalluese ovale HCC. Për të shmangur disa prej përvojave të deritashme, ku individë të caktuar kanë shpallur neglizhencë ndaj protokollit se duket se janë ndjerë tepër të rëndësishëm, unë ju informoj gjithashtu se në bashkëpunim me Ministrinë e Brendshme dhe atë të Transportit, do të veprohet në eficenscë të plotë për të marrë të gjitha masat ligjore dhe administrative që targat në fjalë të dalin jashtë funksionit dhe përdorimit në përgjithësi.”, shtoi Cakaj.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *