Vendosni fjalën kyçe....

Meta: Largimet e padrejta nga puna, fatura financiare t’i kalojë zyrtarit që merr vendimin


Presidenti Meta ka kërkuar që Gjykata Administrative, që po përballet me një fluks rastesh që janë për tu shqyrtuar duhet të plotësohet me trupën e nevojshme të gjyqtarëve, në mënyrë që të shmanget vonesat.

Më tej ai tha se në rastet e largimeve të padrejta nga puna, fatura financiare duhet t’i kalojë zyrtarit që ka dhënë vendimin e padrejtë dhe në shkelje të ligjit.

Kreu i Shtetit i bërti deklaratat e mësipërme në konferencën e organizuar nga INFOÇIP me temë “Marrëdhëniet e Punës dhe Shqyrtimi Gjyqësor”.

“Numri në rritje i konflikteve gjyqësore dhe me një trupë gjyqësorë ende të paformuar sjell vonesa në vendime. Gjykata administrative duhet të plotësohet me trupën e nevojshme. Është rritur numri i konflikteve në marrëdhëniet e punës dhe 30% e rasteve në Administrative janë për problemet në marrëdhëniet e punës. Duhet të përcaktohet me ligj evidentimi i përgjegjësisë direkt të zyrtarit publik për shkarkime të padrejta nga puna, si përgjegjësi penale, duhet dispozitë e vecantë në kodin penal, por edhe financiar për cdo dëm që i shkaktohet buxhetit. Fatura e përballimit të dëmit t’i kalojë zyrtarit që ka marrë vendimin e padrejtë. Dëmi nuk mund t’i ngarkohet taksapaguesit shqiptar, që janë të dëmtuarit kryesorë në këtë rast.” – theksoi Meta.