Studentët vijojnë protestën e tyre ashtu siç kanë lajmëruar që prej rifillimit të vitit shkollor.
Ata kanë braktisur masivisht mësimin në të gjitha universitetet e vendit, por ka edhe fakultete ku në disa degë po zhvillohet mësim.
Në fakultetin e Histori-Filologjisë, studentët kanë nxjerrë në korridor tavolinat dhe karriget. Studentët kanë sot një tjetër plan për protestën e tyre.
Ata do të mblidhen në orën 8:30 në fakultetet e tyre dhe për një orë do protestojnë aty më pas do të nisin marshimin gjithëpërfshirës në të gjitha universitetet e vendit për t’u mbledhur më pas para Kryeministrisë.
Universiteti Politiknik i Tiranës bashkë me Artet do të nisë marshimin për t’u takuar me Fakultetin e Drejtësisë.
Pas bashkimit do të marshojnë për tek Unaz për t’u takuar me Fakultetin e Ekonomisë, Fakultetin e Histori-Filologjisë dhe Fakultetin e Gjuhëve të Huaja.
Tek “Vasil Shanto” bashkohen dhe fakultetet e tjera, Fakulteti i Shkencave Sociale dhe Fakulteti i Inxhinjerisë Matemakine dhe Inxhinjerisë Fizike.
Marshimi vazhdon drejt 21-shit dhe Zogut të Zi, ku rrugës do të bashkohen edhe Fakulteti i Inxhinjerisë së Ndërtimit, Fakulteti i Arkitekturës dhe Urbanistikës dhe Universiteti i Sporteve i Tiranës.
Në kryqëzimin e Zogut të Zi, do të bashkohen me Universitetin Bujqësor të Tiranës dhe Fakulteti i Shkencave të Natyrës.
Tek Fakulteti i Shkencave të Natyrës bëhet bashkimi i madh me Fakultetin e Mjekësisë Tiranë dhe nis marshimi drejt Kryeministrisë.