Vendosni fjalën kyçe....

I kërkoi seks nënës së divorcuar për kujdestarinë e fëmijës, procedohet penalisht gjyqtari


Gjyqtari Roland Hysi, i cili u kap nga kamerat duke i kërkuar një nëne të divorcuar favore seksuale dhe para në këmbim të kujdestarisë së fëmijës, është proceduar penalisht.

Prokuroria ka dhënë lajmin përmes një njoftimi për mediat, ku thuhet se kanë nisur hetimet për çështjen në fjalë:“Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë, duke u nisur nga pamjet filmike të transmetuara në datën 08.01.2019 në emisionin “Stop” të televizionit “Klan”, kryesisht, ka rregjistruar proçedim penal për veprat penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtojnë funksione publike” dhe “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarë të tjerë të drejtësisë”, të parashikuara nga nenet 245/1 dhe 319/ç të Kodit Penal.Në bashkëpunim me Drejtorinë e Policisë së Shtetit janë duke u kryer veprimet e nevojshme hetimore, me qëllim hetimin e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe të përgjegjësisë penale të personave të përfshirë.”

Sakaq ka reaguar gjithashtu edhe Këshilli i Lartë Gjyqësor, ku shpreh “indinjatën” për rastin në fjalë. KLGJ thotë se ka nisur procesin për verifikimin e ngjarjes ndërsa falenderon emisionet investigative për denoncimin e rasteve të tilla, kur gjyqtarët përshihen në veprimtari korruptive.

“Këshilli i Lartë Gjyqësor, pasi u njoh me videon e shfaqur në mbremjen e datës 08.01.2019, në emisionin investigativ “STOP”, televizioni kombëtar KLAN, shpreh shqetësimin dhe indinjatën e thellë për ngjarjen dhe për implikimin e mundshëm të gjyqtarit apo gjyqtarëve të përmendur në këtë emision.

Këshilli Lartë Gjyqësor, duke vlerësuar sjelljet dhe veprimet e gjyqtarit në raport me ligjin, nxit shqyrtimin dhe verifikimin e plotë të gjithë kësaj ngjarje, nga strukturat përkatëse. Shkeljet e rënda të etikës dhe që diskreditojnë rëndë figurën e gjyqtarit, ishin arsye për të cilën reforma në drejtësi doli si domosdoshmëri, dhe do të jetë arsye që kjo reformë, me të gjithë institucionet e reja të sapo ngritura, të vijojë përpara betejën ndaj çdo lloj korrupsioni të shfaqur, në të gjitha nivelet, me qëllimin final sigurimin e sundimit të ligjit, pavarësinë dhe eficiencën e gjyqësorit.

Duke falenderuar emisionet televizive investigative, si dhe të gjithë qytetarët, për kontributin e tyre, në bërjen publike të rasteve korruptive, KLGJ garanton opinionin publik se do të bashkëpunojë pa asnjë rezervë me çdo institucion shtetëror, për verifikime sa më transparente dhe profesional ndaj çdo gjyqtari të dyshuar për përfshirje në veprimtari të paligjshme apo korruptive.”, thuhet në njoftimin e Këshillit të Lartë Gjyqësor.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *