Vendosni fjalën kyçe....

Meta kundër ndryshimit të kufijve mes Kosovës e Serbisë: E rrezikshme, marrëveshja sipas Kushtetutës


Presidenti Meta ka folur mbrëmjen e sotme edhe për marrëveshjen Kosovë-Serbi. Sipas kreut të shtetit, marrëveshja e vetme që është gati të pranohet prej tij është ajo që do ketë një konsensus të klasës politike në Kosovë dhe që do jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

Sipas Metës, ideja e ndryshimit të kufijve, sido që të vijë nuk shkakton gjë tjetër veç shqetësime dhe rreziqe të reja në Ballkan.

Ai theksoi se Ballkani do bëhet si gjithë Evropa vetëm nëpërmjet bashkëjetesës dhe jo nëpërmjet ndryshimit të kufijve.

“Qyshkur jam angazhuar në politikë me thirrjen “Ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Europa” e që kur kam filluar të kuptoj nga politika e jashtme në fillim të viteve ‘90, gjithnjë kam qenë i bindur që Ballkani do të bëhet si gjithë Europa vetëm përmes bashkëjetesës dhe jo përmes ndryshimit të kufijve. Aktualisht janë vënë në diskutim edhe tema të tilla, që janë menduar tabu në të kaluarën.

Aktualisht është në lëvizje një ide e tillë e cila ka qenë prej kohësh nga ana e Serbisë. Unë nuk besoj te shkëmbimi i territoreve, nuk besoj se ndryshimi i kufijve është një zgjidhje. Unë mendoj se Serbia e ka marrë përgjigjen nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, ku vetë Serbia ka shkuar për të verifikuar nëse Pavarësia e Kosovës ka qenë apo jo konform ligjeve ndërkombëtare dhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka dhënë një përgjigje shumë të pastër.

Cila do të jetë marrëveshja? Marrëveshja është, Serbia do të bëhet anëtare e Bashkimit Europian kur të zgjidhë problemet me të gjithë fqinjët dhe problemi me Kosovën është kryesori dhe Kosova njëkohësisht të marrë vendin që i takon në OKB e njëkohësisht në të gjitha organizatat e tjera.

Duam ta bëjmë më të vështirë këtë gjë? Kjo është një çështje e të tjerëve si të thuash, por unë personalisht mendoj që çdo ide për shkëmbim territoresh ngado që vjen, sido që të vijë, krijon vetëm shqetësime dhe rreziqe të reja në Ballkan.” – tha Meta.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *