Vendosni fjalën kyçe....

ISHP jep njoftimin: Masat që duhet të merrni për tu mbrojtur nga i ftohti


Instituti i Shëndetit Publik informon qytetarët për masat që duhet të marrin për të përballuar motin e ftohtë për të ruajtur shëndetin nga i ftohti dhe ngricat. Vetëmbrojtja është hapi i parë për të përballuar ditët e ftohta me të cilat po përballet i gjithë vendi ynë, sot e në ditët në vijim.

Situatë e rrezikshme për të moshuarit dhe të sëmurët kronikë. Nëse qëndroni gjatë në të ftohtë, temperatura trupore mund të bjerë nën 35° C e me kalimin e kohës organizmi nuk funksionon më siç duhet duke rrezikuar shëndetin, gjë që shkakton vazokonstriksion kutan dhe përshpejtim të ritmit kardiak.

Ja disa këshilla të vlefshme:

– Vishuni ngrohtë dhe përdorni shall, doreza dhe kapuç kur jeni në ambiente të jashtme dhe të ftohta.

– Evitoni të qëndroni gjatë në ambiente të jashtme në ditët e ftohta, me erë dhe sidomos kur jeni të lagur.

– Evitoni të dilni jashtë në orët e para të mëngjesit dhe orët e vona të darkës.

– Ecni me kujdes e me hapa të vegjël dhe duart jashtë xhepave.

– Ushqehuni me ushqime të ngrohta e të lëngshme të përbëra nga mishi, bishtajoret, perimet, drithërat, por edhe fruta që përmbajnë vitamina dhe minerale.

– Pini sa më shumë ujë dhe lëngje, sidomos nëse jeni të sëmurë dhe qëndroni vazhdimisht në shtëpi.

– Qëndroni në ambiente të ngrohta dhe të ajrosura herë pas here. Temperatura ideale për ambientin e brendshëm është 20-23° C, dhe ajrosja duhet të bëhet disa herë për të siguruar lagështinë e duhur për rrugët e frymëmarrjes dhe për të ulur përqendrimin e mikrobeve në shtëpi. Mund të mbani një enë me ujë tek radiatori për të siguruar lagështinë e ajrit. Sigurohuni gjithashtu që dyert dhe dritaret të jenë të izoluara sa më mirë. Edhe mbingrohjet e shtëpisë mund të jenë të dëmshme ashtu si dhe ngrohjet me dru apo gaz, që mund të çlirojnë gazra të dëmshme për organizmin. Ndaj duhet që ambientet e brendshme të ajrosen mirë disa herë gjatë ditës, dhe të siguroheni që nuk keni rrjedhje gazrash.
– Për të rritur mbrojtjen imunitare të organizmit gjatë të ftohtit, krahas ushqyerjes së shëndetshme, rekomandohet bërja e vaksinave kundër gripit sezonal dhe marrja e integratorëve ushqimorë të përbërë kryesisht nga substanca probiotike. Të gjithë personat me faktorë risku (përveç foshnjave nën 6 muajsh) duhet të vaksinohen me vaksinën antigrip vit pas viti.

Për më tepër, lexoni edhe materialet e tjera informuese rreth mbrojtjes nga i ftohti.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *