Vendosni fjalën kyçe....

Banorët e Unazës së Re përzënë punonjësit e Bashkisë


Banorët e Unazës së Re, kanë përzënë sot punonjësit e Bashkisë që kishin vajtur në zonë për të hequr ndriçimin si dhe pemët.

Ata kanë dalë në rrugë dhe pasi kanë debatuar me punonjësit e bashkisë i kanë detyruar këta të fundit që të largohen.

Dita e sotme ka qenë afati kur ARRSH-ja do dërgonte në terren punonjësit e saj për të bërë vlerësimin e banesave që do prishen në kuadër të zgjerimit të rrugës nga Sheshi Shqiponja te Pallati me Shigjeta.

Në protestat e tyre ditët e fundit, ata kanë lajmëruar se nuk do i lejojnë punonjësit e ARRSH-së dhe as ata të Bashkisë në banesat e tyre.

E sotmja shënon ditën e 24-të të qëndresës së banorëve të Unazës së Re, kundër prishjes së banesave të tyre dhe ofertës së qeverisë për 3 vjet qera për banesat e palegalizuara. Ata kanë deklaruar se nuk do i lëshojnë banesat e tyre pa marrë dëmshpërblim 100 përqind.

Ditën e enjte, banorët e Unazës së Re dhe ata të Bregut të Lumit, që preken nga zgjatimi i Bulevardit të Ri të Tiranës, zhvilluan një protestë para Kuvendit. Protesta nisi e qetë por më pas degradoi në përplasje ku u palgosën 12 efektivë policie dhe disa banorë.

Palët akuzuan njëra-tjetrën për nisjen e dhunës, ndërkohë që shumë banorë akuzuan policinë për dhunë fizike dhe verbale pas protestës. 11 persona u arresuan për lidhje me protestën para Kuvendit, 2 prej të cilëve kanë mbetur në burg, kurse të tjerët janë me detyrim paraqitjeje, një masë që u mor në seancën e djeshme te Krimet e Rënda.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *