Vendosni fjalën kyçe....

“Nuk kemi zaptuar”, banorët e Astirit dhe Bregut të Lumit njëzëri kundër Ramës


Banorët e Astirit janë duke protesuar sërish sot në ditën e tyre të 18-të për prishjen e banesave të tyre nga projekti i “Unazës së Re”. Kësaj proteste i janë bashkuar edhe banorët e Bregut të Lumit, që preken nga projekti i “Bulevardit të Ri” dhe  ka një pjesëmarrje të lartë në protestë. 

“Erion Veliaj këtu vendosim ne”, “Nuk na trembi dot”, “Shtëpitë do t’i mbrojmë me gjak”, “Kauza jonë, shtëpia jonë”, këto janë thirrjet e banorëve gjatë protestës së sotme. 

Qytetarët janë shprehur se nuk kanë zaptuar tokë, ashtu siç deklaroi sot Rama,  por janë në shtëpitë e tyre. 

“Nuk ka negociatë tjetër me ne Rama, vetëm dëmshpërblim 100% sipas vlerës së tregut. Ku je o kryeministër mashtrues, ne jemi të ligjshëm se ne kemi paguar taksa. Nuk jemi zaptues ne, ne jemi në shtëpitë tona”, u shpreh një qytetar. 

Protestës së tyre sot i është bashkuar edhe avokati Altin Goxhaj i cili është shprehur se çdo gjë në këtë projekt është një paligjshmëri. 

“Kjo që po ndodh këtu është një paligjshmëri. Çdo objekt këtu është me lejë pasi sheteti e ka formalizuar marrdhënien e pronësisë. Këta po e bëjnë si nazistët që prishinin shtëpitë e hebrenjve.
Kam tre javë që që pres përgjigje se kush janë pronarët që paskan pronën këtu dhe jua kanë zënë banorët e Astirit? Kush flet për zaptim,  Erion Veliaj? Pashë dje një kantier këtu, një kantier të jashtëligjshëm. Kjo Tirana që është, është e pajetueshme nga ndërtimet me leje të Edi Ramës.  Shteti shqiptar iu ka thënë shqiptarëve o bëhu kriminel, o do ju prishim shtëpitë.”, u shpreh Altin Goxhaj.

Shqetësimi i banorëve të Bregut të Lumit

Banorët e Bregut të Lumit, preken nga zgjatimi i “Bulevardit të Ri”, që pasi është ndërtuar në 3 segmentet e para të tij do shtrihet edhe në segmentin e katërt deri në Bregun e Lumit.

ALUIZNI, Bashkia dhe të gjitha institucionet e tjera përgjegjëse për prishjen e banesave në kuadër të zgjatimit të Bulevardit, kanë deklaruar se nuk do dëmshpërblejnë asnjë familje nga prishja e banesës ku jetojnë prej më shumë se 20 vitesh, duke paguar taksa dhe duke qenë në rregull me të gjitha detyrimet e pretenduar nga shteti ndaj tyre./ Hashtag.al 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *