Vendosni fjalën kyçe....

Kauza


Foto nga promovimi i librit

Ka një kauzë që në Shqipëri, tani, i bën bashkë të gjithë: të majtë, të djathtë, gazetarë, artistë, aktivistë, profesorë, studiues, arkitektë e shumë e shumë të tjerë që nëse do merrnim përsipër t’i listonim nuk do na dilnin rreshtat.

Kauza e Teatrit Kombëtar! Që nuk ka mbetur ajo e “thata”, mbrojtja vetëm e një godine me gurë por që fatmirësisht mbërriti te publiku e interpretuar pak a shumë kështu: mbrojtja e publikes, e trashëgimisë, e traditës. Bashkë kauza bëri edhe mediet që e mbrojtën me vetëdije publiken dhe la jashtë ato që qenë për shkatërrimin e saj.

Gjithë parashtrimi më lart konkretizohet me një botim të fundit “Për Teatrin, Publiken dhe Traditën e Shenjtë”, realizuar nga “Politiko.al” me mbështetjen e deputetit Agron Shehaj, të cilët kanë bërë bashkë 33 pena që furnizuan me argumente prej dhjetra ditësh opinionin publik dhe qëndrestarët e mbrojtjes së teatrit, siç do të shprehej gjatë promovimit edhe aktivisti e pedagogu Ervin Goci.

Andi Bushati, Andia Çela, Agron Gjekmarkaj, Artan Fuga, Aurel Plasari, Armand Shkullaku, Alfred Lela, Arlind Qori, Artan Raça, Agron Shehaj, Ardian Vehbiu, Bujar Nishani, Caroalberto Rossi, Elsa Demo, Eda Derhemi, Edmond Tupja, Endri Shabani, Florion Mima, Fatos Lubonja, Fitim Zekthi, Gentian Gaba, Rubens Shima, Idlir Azizaj, Kastriot Çipi, Koloreto Cukali, Lorjan Agalliu, Mark Marku, Marson Korbi, Preç Zogaj, Redi Muçi, Rudi Erebara, Stefan Çapaliku, Vincent W.J.van Gerven Oei mendojnë se Teatri Kombëtar duhet ruajtur.

“Janë aty të gjithë”, do të theksonte Alfred Lela që u kujdes personalisht të punonte për të lënë të shkruar një dëshmi se si bashkë të gjithë mund të kujdesemi e të luftojmë edhe për kauzën që pushteti ka dashur ta asgjësojë. “Me propagandë”, vazhdon të artikulojë Lela, duke interpretuar ekzistencën e një propagande të pushtetit hedhur te opinioni publik, se ata që janë për ruajtjen e teatrit, na qenkëshin kundër ndërtimit të një teatri të ri. “Të kuptohemi, ne jemi për ngritjen e një teatri të ri, por jemi edhe për ruajtjen e këtij që kemi”, sqaron Lela.

Ky botim me një grup autorësh, të cilët janë bashkë, pa e ditur paraprakisht, në një hapësirë publike, për një kauzë, kalon në një teh të hollë rreziku. A do shërbejë si simboli i fundit të saj?! Goci mendon që jo, duke siguruar se të gjithë këta autorë kanë qenë frymëzues për ta, për qëndresën dhe mbledhja e tyre në një dëshmi të shkruar është në vetvete një formë tjetër e rezistencës për teatrin, plotësuese.

“Mund të mos kemi arritur shumë qëllime me këtë akt, por një, me siguri, e kemi shenjuar. Kemi dokumentuar, në një vëllim, masën intelektuale të rezistencës për një çështje publike, qytetare, kombëtare dhe trashëgimore”, thotë në shënim botuesi.

Në këtë kohë të promovimit, dekreti i presidentit që u kërkonte socialistëve rishikimin e projektligjit me shkelje është rrëzuar nga forca arrogante e 74 kartonave. Në mungesë të Gjykatës Kushtetuese maxhoranca socialiste e ka të lehtë të mos ndeshë pengesa në rrugën që ua diktoi Rama. Por atje, para Teatrit Kombëtar ka një rezistencë që vazhdon, që është gati të përleshet edhe fizikisht. Pyetja e vetme është çfarë do bëjë kryeministri në këto kohë skandalesh. A do ketë guximin të marrë zvarrë intelektualët e vendit, siç urdhëroi së fundi truprojet të merrnin zvarrë dy studente?!/V.Gogo

Kopertina e botimit


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *