
Një debat me tone të forta është zhvilluar në Kuvend mes deputetit të Partisë Socialiste, Taulant Balla, dhe deputetit të Partisë “Mundësia”, Erald Kapri, gjatë diskutimeve për ligjin mbi tokën bujqësore dhe çështjet e pronësisë.
Balla hodhi poshtë akuzat e Kaprit, duke i cilësuar deklaratat e tij si të pavërteta dhe duke e akuzuar për sulme politike.
“Gënjeshtar me pagesë, do të mbahesh mend si mbajtës çante i një deputeti tjetër. Mbylle gojën. Erdhe, bëre një gabim dhe u kape me presh në dorë”, deklaroi Balla.
Deputeti socialist mbrojti ndryshimet ligjore, duke theksuar se ato janë pjesë e detyrimeve të Shqipërisë në procesin e integrimit europian.
“Nëse thua se ky ligj është bërë me porosi, i bie që paskam korruptuar edhe BE-në. Këto ligje janë pjesë e një pakete të rëndësishme për përafrimin me standardet europiane”, u shpreh ai.
Gjatë fjalës së tij, Balla akuzoi edhe opozitën për çështjet e pronave në Vlorë, duke përmendur emrin e Agron Shehajt dhe duke pretenduar për përfshirje në konflikte pronësie.
Në përgjigje, Erald Kapri akuzoi Ballën se po përdor familjarët si mjet presioni politik.
“Kurrë nuk kemi përmendur familjarë. E bëri Taulant Balla, sepse më bën shantazh duke më përmendur familjen. Përdorni gjithçka për të frikësuar dikë për mendimin e tij”, deklaroi Kapri.
Deputeti i Partisë “Mundësia” e sfidoi Ballën edhe për çështjet e pronave në Vlorë, duke përmendur dhënien e tokës për një investim strategjik ku, sipas tij, është përfshirë aktori turk Burak Özçivit.
“Nuk pate guxim të flisje për ‘Osmanin’ që mori tokë në Vlorë dhe për familjet që kërkojnë të drejtat e tyre të pronësisë. Përballë na ke dhe përballë do të na kesh. Do ta shohësh kush do të largohet më herët nga politika”, tha Kapri.
Debati vijoi me akuza dhe replika të forta mes dy deputetëve, ndërsa përplasja u përqendrua te ligji për tokën bujqësore, çështjet e pronësisë në Vlorë dhe pretendimet për lidhje mes vendimmarrjeve politike dhe interesave private.