Vendosni fjalën kyçe....

Bido për Lëvizjen Bashkë: Janë në kufijtë e antikombëtares, flasin për Kosovën vetëm kur u intereson


Gjatë seancës plenare, deputeti i Partisë Socialiste, Ardit Bido, akuzoi Lëvizjen Bashkë për populizëm dhe qëndrime, që sipas tij, janë “në kufijtë e antikombëtares”, duke iu përgjigjur debatit për reagimin ndaj deklaratës së ministres serbe Snezhana Paunoviç.

Bido tha se qeveria shqiptare dhe Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme reaguan menjëherë ndaj deklaratës, ndërsa kritikoi partitë e vogla opozitare  se flasin për Kosovën vetëm kur u leverdis politikisht.

Ai theksoi se kryeministri Edi Rama ka kërkuar në Beograd njohjen e Kosovës si shtet i pavarur, ndërsa shtoi se përfaqësuesit e partive të vogla munguan në aktivitetet përkujtimore për gjenocidin dhe spastrimin etnik ndaj shqiptarëve të Çamërisë.

“Më vjen keq që në këtë sallë të nderuar të kuvendit ne dëgjojmë popullzimin që në fakt na vjen nga thirrjet revolucionare që kanë prodhuar vetëm gjak në histori.

Popullzimi ekstrem që tenton të zhbëjë edhe historinë. Enver Hoxha kur shkoi në Beograd nuk foli për Kosovën. Diskutoi atë që ishte plani i kohës për Jugosllavinë e madhe që do përfshinte Bullgarinë dhe Shqipërinë.

Sot Shqipëria, një republikë e pavarur ka kërkuar përmes Ramës në Beograd që Kosova një republikë e pavarur të njihet si realitet.

Populizmi përkundrejt fateve. Dëgjuam përfaqësuesit e një lëvizje që për mua është në kufijtë e antikombëtares, të na fliste për Kosovën duke reaguar me orë të tëra vonesë, pasi kishin reaguar jo vetëm ministria e jashtme por edhe shumica e grupit parlamentar.

Por kur vjen momenti për ta kthyer në fakt ata mungojnë. Spastrimi etnik është i papranueshëm në çdo rast, kur vjen fjala për spastrimin etnik në Çamëri që ky shtet e njeh si ditë gjenocidi.

Partizat e vogla munguan, ku ishin përfaqësues me shumicë të PS dhe opozitës zyrtare. Ato zgjodhën që në ditën që dënohej gjenocidi dhe spastrimi etnik, të fshihen si struci e të zhduken.

Partizat e popullzimit kanë zgjedhur vetëm fjalën kur iu intereson dhe me veprime për kanë treguar se janë thjeshtë antishqiptarë.”