Vendosni fjalën kyçe....

Irani kërcënon mbylljen e korridoreve të tjera energjetike: Eksportet ose do t’i ndajmë të gjithë, ose nuk do t’i ketë askush



Garda Revolucionare Islamike e Iranit (IRGC) ka kërcënuar se mund të mbyllë edhe korridore të tjera të eksportit të energjisë që, sipas saj, u shërbejnë Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të tyre. Deklarata vjen pasi Irani mbylli Ngushticën e Hormuzit dhe SHBA rivendosi bllokadën detare ndaj porteve iraniane, përcjell Reuters.

“Eksportet rajonale të energjisë ose do të ndahen nga të gjithë, ose nuk do të lejohen për askënd”, thuhet në deklaratën e IRGC-së, të publikuar nga agjencia shtetërore iraniane IRNA.

Analistët vlerësojnë se Teherani po sinjalizon mundësinë e përdorimit të aleatëve të tij Houthi në Jemen për të bllokuar edhe ngushticën Bab el-Mandeb, hyrjen strategjike drejt Detit të Kuq. Një veprim i tillë do të hapte një front të ri përballë Uashingtonit dhe do të vinte në rrezik dy nga arteriet më të rëndësishme të transportit global të energjisë.

Bab el-Mandeb lidh Detin e Kuq me Gjirin e Adenit dhe përmes tij kalon një pjesë e konsiderueshme e eksporteve saudite të naftës, si edhe një pjesë e madhe e tregtisë detare botërore.

Një zyrtar i lartë i lëvizjes Houthi paralajmëroi se grupi është i gatshëm të mbyllë këtë ngushticë nëse Arabia Saudite vazhdon sulmet ndaj Jemenit, duke pretenduar se një skenar i tillë mund ta çojë çmimin e naftës deri në 200 dollarë për fuçi.

Houthit kanë rifilluar sulmet me raketa ndaj Arabisë Saudite, duke e akuzuar Riadin për bombardimin e një aeroporti nën kontrollin e tyre, çka i dha fund armëpushimit katërvjeçar mes palëve.

Grupi ka treguar edhe më parë aftësinë për të penguar trafikun detar në Bab el-Mandeb. Pas shpërthimit të luftës në Gaza në tetor 2023, Houthit sulmuan anije tregtare në Detin e Kuq, duke deklaruar se kishin në shënjestër mjete lundruese të lidhura me Izraelin.

SHBA vazhdon sulmet, Irani kërcënon përshkallëzim

Kërcënimet e reja vijnë një ditë pasi ushtria amerikane njoftoi nisjen e një vale të re sulmesh për të dobësuar kapacitetet ushtarake iraniane që, sipas saj, përdoren për sulme ndaj anijeve tregtare në Ngushticën e Hormuzit.

Sipas SHBA-së, Irani ka sulmuar shtatë anije tregtare gjatë javës së fundit, duke shkaktuar viktima dhe të plagosur mes ekuipazheve.

Komanda Qendrore Amerikane (CENTCOM) bëri të ditur se goditi dhjetëra objektiva ushtarake pranë Hormuzit dhe përgjatë bregdetit iranian, në një operacion që zgjati shtatë orë.

Nga ana tjetër, IRGC deklaroi se Ngushtica e Hormuzit do të mbetet e mbyllur deri në “fundin e të këqijave të Amerikës”. Para nisjes së konfliktit, rreth 20% e dërgesave globale të naftës dhe gazit kalonin çdo ditë përmes kësaj rruge detare.

Garda Revolucionare pretendoi gjithashtu se ka goditur objekte logjistike, depo karburanti dhe struktura ushtarake të lidhura me Flotën e Pestë Amerikane në Bahrein, si kundërpërgjigje ndaj sulmeve të fundit amerikane.

Po ashtu, ajo deklaroi se ka shkatërruar një strukturë logjistike amerikane në Mina Abdullah të Kuvajtit dhe ka goditur bazën amerikane në Azraq të Jordanisë, duke synuar hangarë avionësh.

Autoritetet kuvajtiane konfirmuan se një zjarr në një objekt të goditur nga sulmet iraniane është vënë nën kontroll, ndërsa Jordania njoftoi se sistemet e saj të mbrojtjes ajrore rrëzuan tre raketa balistike që kishin hyrë në hapësirën ajrore të vendit.

Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se SHBA mund të godasë termocentralet dhe urat në Iran javën e ardhshme nëse Teherani nuk rikthehet në tryezën e negociatave.

“Objektivat energjetike do t’i lëmë për në fund, por në fund do t’i godasim edhe ato”, tha Trump në një intervistë për Fox News.

Ai shtoi se negociatorët amerikanë i kanë dërguar mesazh Iranit që të arrijë një marrëveshje, ndërsa hoqi dorë nga ideja e vendosjes së një tarife 20% për anijet që kalojnë në Ngushticën e Hormuzit, duke deklaruar se do të synojë marrëveshje investimesh me vendet e Gjirit.

Ndërkohë, tensionet në Lindjen e Mesme kanë ndikuar sërish në tregjet energjetike. Çmimi i naftës Brent u rrit për të dytën ditë radhazi, duke arritur nivelin më të lartë që nga mesi i qershorit, ndërsa edhe nafta amerikane WTI vijoi rritjen, mes shqetësimeve për ndërprerje të furnizimeve globale.