Vendosni fjalën kyçe....

Sarandë/ Hynë me Jet Ski në zonën e pushuesve, bllokohen dy mjete lundruese, gjobiten me nga 500 mijë lekë



Policia Kufitare e Sarandës ka bllokuar dy mjete lundruese tip Jet Ski, pasi drejtuesit e tyre shkelën perimetrin e sigurisë duke hyrë në zonat e rezervuara për pushuesit, duke rrezikuar jetën dhe sigurinë e tyre.

Sipas njoftimit të Policisë, rasti i parë u konstatua gjatë patrullimeve në Gjirin e Sarandës, ku një Jet Ski kishte hyrë në perimetrin e sigurisë pranë zonës ku laheshin pushuesit. Një shkelje e ngjashme u evidentua edhe në Gjirin e Ksamilit, ku një tjetër mjet lundrues u fut në hapësirën e ndaluar për lundrim.

Në përfundim të veprimeve administrative, të dy Jet Ski-t u bllokuan dhe u shoqëruan në Portin e Sarandës, ndërsa ndaj drejtuesve të tyre, shtetasve me iniciale R. A. dhe R. P., u vendosën masa administrative me gjobë prej 500 mijë lekësh të rinj secili.

Policia Kufitare bën të ditur se kontrollet dhe patrullimet përgjatë vijës bregdetare do të vijojnë gjatë gjithë sezonit turistik, me qëllim garantimin e sigurisë së pushuesve dhe zbatimin e rregullave të lundrimit.

Njëkohësisht, Policia e Shtetit u bën thirrje përdoruesve të mjeteve lundruese dhe subjekteve që operojnë me to të respektojnë perimetrat e sigurisë dhe të mos hyjnë në zonat e përcaktuara për pushuesit.