Vendosni fjalën kyçe....

Hamas pritet të shpallë shpërbërjen e qeverisë në Gaza pas gati 20 vitesh, raportojnë mediat saudite


Hamas pritet të njoftojë të hënën shpërbërjen e qeverisë de facto që ka administruar Rripin e Gazës për afro 20 vjet, sipas një raporti të gazetës saudite Asharq Al-Awsat, përcjell Ynet.

Sipas raportit, ky vendim synon t’i hapë rrugë ngritjes së një komiteti teknokratësh, si pjesë e planit të presidentit amerikan Donald Trump për Gazën. Burime palestineze bëjnë me dije se komiteti nuk ka mundur ende të hyjë në territor për shkak të situatës me Izraelin.

Aktualisht, administrimi i Gazës kryhet nga Komiteti për Mbikëqyrjen e Punës së Qeverisë, i cili, sipas planit amerikan, do të zëvendësohet nga një komitet teknokratësh i drejtuar nga Ali Shaath, një ish-zyrtar me lidhje me Autoritetin Palestinez.

Raporti vjen pasi mediat izraelite publikuan se administrata amerikane ka hequr dorë nga kushti për çarmatimin e Hamasit si parakusht për rindërtimin e Gazës. Megjithatë, burime palestineze theksojnë se Hamasi vazhdon të kundërshtojë çarmatimin.

Ndërkohë, gjatë dy ditëve në vijim pritet të zhvillohen në Kajro raunde të reja bisedimesh mes Hamasit dhe ndërmjetësve, me synim ngushtimin e diferencave për fazën e dytë të marrëveshjes së armëpushimit dhe çështjen e çarmatimit të organizatës.