Vendosni fjalën kyçe....

PL: Shqiptarët po jetojnë në kushte mbijetese por qeveria refuzon ta pranojë realitetin


Zv.sekretarja e Përgjithshme e Partisë së Lirisë, Brunilda Haxhiu, ka deklaruar se shqiptarët po jetojnë në kushte mbijetese dhe se qeveria nuk po e pranon realitetin ekonomik në vend.

Ajo theksoi se Shqipëria është kthyer në një vend ku puna nuk paguhet mjaftueshëm dhe ku zhvlerësimi i kursimeve dhe emigrimi janë bërë zgjidhje të detyruara për shumë familje.

“Shqiptarët sot po jetojnë në kushte mbijetese por qeveria refuzon ta pranojë realitetin te cilin jetojme çdo ditë. Shqipëria është kthyer në një vend ku puna nuk paguhet, ku kursimet zhvlerësohen dita-ditës, dhe ku mijëra familje zgjedhin emigrimin në vend të shpresës.

Liria, mirëqenia, ekonomia, maten me mundësinë reale të një qytetari për të jetuar me dinjitet në vendin e vet. Sot kjo mundësi po i shkelet çdo shqiptari.

Kur një i ri llogarit se një muaj pune në Gjermani vlen sa tre muaj pune në Shqipëri, zgjedhja per tu larguar bëhet e detyruar. Çdo familje që largohet, çdo klasë shkolle që mbyllet për mungesë nxënësish, është një dëshmi e heshtur e dështimit të kësaj qeverie per te ndalur zbrazjen demografike .

Çdo muaj, mijëra familje shqiptare presin me shpresë transfertën që u dërgon një prind, një fëmijë, një i aferm nga jashtë qe te mbyllin shpenzimet e muajit. Çdo 100 euro që dërgohen nga jashtë për të blerë ilaçe apo bukë, sot kthehen në mbi 4,000 lekë më pak në xhepat e pensionistëve shqiptarë krahasuar me kursin normal”, tha ajo.

Sipas saj, bujqësia, fasoneritë dhe industritë e vogla po humbasin terren çdo ditë, duke lënë pas familje pa të ardhura dhe duke rritur emigrimin.

Ajo kritikoi politikat ekonomike të qeverisë, duke theksuar se mungon mbështetja për prodhimin vendas dhe punësimin e qëndrueshëm, ndërsa theksoi se vendi ka nevojë për një ekonomi prodhuese të fortë.

“Sektori i prodhimit vendas , si  fasoneritë, bujqësia, industritë e vogla ,po humbet terren çdo ditë. Prapa çdo biznesi që mbyllet, ka familje që mbeten pa të ardhura, mijera gra e nëna kryefamiljare qe nuk ushqejne dot femijet e tyre.

Nuk mund të kemi një vend të fortë pa një ekonomi prodhuese të fortë. Kjo qeveri ka zgjedhur betonin në vend të fabrikave, propaganden e turizmit në vend të punësimit të qëndrueshëm.

Partia e Lirisë vendos ne qender te programit te saj mbeshtetjen financiare per familjet e reja, uljen e TVSH nga 20% ne 5%  per ushqimet e  shportes, rritjen e pagave dhe pensioneve, Investim ne Arsim dhe Shendetesi, mbeshtetjen e bujqesise dhe biznesit duke mbeshtetur prodhimin vendas, per ta kthyer Shqiperine ne nje fuqi eksportuese.

Per me shume se nje muaj, shqiptaret kane mbushur sheshet e Shqipersise sepse protestojne për familjen, për fëmijët që sot rriten larg prindërve, për pensionistët që numërojnë lekët në fund të muajit. Partia e Lirisë do të jetë zë i kësaj kërkese në çdo institucion, sepse liria fillon atje ku qytetari mund të jetojë me dinjitet, në vendin e vet”, shtoi ajo.