Vendosni fjalën kyçe....

Akuzohet për vrasjen e të riut në Memaliaj, dorëzohet në polici autori i dyshuar


Në foto: Endri Goxhaj

Pas afro dy muajsh në arrati, Marjaldo Nela, i kërkuar nga autoritetet për vrasjen e Endri Goxhajt në Memaliaj, është paraqitur vullnetarisht në polici. Pas vetëdorëzimit, ai u ndalua dhe iu vu në dispozicion organeve të drejtësisë për vijimin e hetimeve.

Ngjarja për të cilën ai akuzohet ndodhi mbrëmjen e 21 prillit në qendër të Memaliajt. Sipas Prokurorisë, konflikti nisi spontanisht mes shtatë personave, të cilët nuk ishin pjesë e grupeve rivale. Më pas në përplasje u përfshinë edhe Dali Nela, vjehrri i tij Aldo Kalemi, si dhe persona të tjerë.

Sipas dosjes hetimore, në kulmin e konfliktit Endri Goxhaj nxori një armë zjarri dhe qëlloi katër herë në drejtim të Dali Nelës, duke e plagosur. Pas kësaj, dy vëllezërit e Dalit, Donaldo dhe Marjaldo Nela, dyshohet se reaguan duke hapur zjarr ndaj Goxhajt. Si pasojë e plagëve të marra, 30-vjeçari humbi jetën në vendngjarje. Hetuesit thonë se pamjet filmike tregojnë se Goxhaj nuk pati mundësi të përdorte armën në momentin kur u godit nga dy vëllezërit.

Pas incidentit, Donaldo dhe Marjaldo Nela transportuan me automjet vëllanë e tyre të plagosur drejt Spitalit të Gjirokastrës për t’i dhënë ndihmë mjekësore. Më pas ata u larguan, ndërsa policia i shpalli në kërkim si autorë të dyshuar të vrasjes.

Në kuadër të këtij hetimi, Gjykata e Gjirokastrës caktoi masën e sigurisë “arrest shtëpie” për Dali Nelën, Aldo Kalemin dhe Ermal Matajn. Ky i fundit akuzohet për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, pasi dyshohet se ka fshehur armën e përdorur në të shtënat ndaj Goxhajt.